“Gjelat në Pentagram” është projekti më i ri i Fondacionit Rame Lahaj, një nismë kulturore e veçantë, e dedikuar për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë, që do të zhvillohet nga data 2 deri më 11 shtator.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga ky fondacion, gjatë këtij udhëtimi muzikor, do të vizitohen 10 lokacione në zona të ndryshme të vendit, kryesisht në komunitete rurale, më pak të privilegjuara dhe në rajone që kanë përjetuar pasojat e luftës. Në çdo ndalesë, fëmijët do të kenë mundësinë të përjetojnë koncerte interaktive me muzikë klasike dhe operistike, të sjella nga tre muzikantë profesionistë nga Gjermania.
Kjo iniciativë është pjesë e misionit të Fondacionit Rame Lahaj për ta afruar muzikën klasike me publikun e ri, për ta bërë atë të kuptueshme, të prekshme dhe të dashur për brezat e ardhshëm, transmeton Klankosova.tv.
Për vite me radhë, Fondacioni Rame Lahaj ka kontribuar në ndërtimin e një skene të qëndrueshme operistike dhe klasike në Kosovë, duke krijuar hapësira për edukim, performancë dhe zhvillim artistik për të rinjtë.
“Me “Gjelat në Pentagram”, ne besojmë se po mbjellim farat e një audience të re që nesër do të rritet me dashurinë për artin, kulturën dhe vlerat artistike. Ejani bashkë me fëmijët tuaj dhe bëhuni pjesë e një përvoje unike plot art, muzikë klasike dhe energji pozitive. Na ndiqni në rrjetet tona sociale për të parë kalendarin artistik dhe për të zbuluar kur jemi pranë jush”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Më poshtë do të gjeni datat e perfomancave:
Vrellë – 2 Shtator;
Drenas – 3 shtator;
Vushtrri – 4 shtator;
Dragash – 5 shtator;
Deçan – 6 shtator;
Viti – 7 shtator;
Ferizaj – 8 shtator;
Fushë Kosovë – 9 shtator;
Prishtinë – 10, 11 shtator.
The post “Gjelat në Pentagram”, projekti më i ri i Fondacionit Rame Lahaj appeared first on Klan Kosova.