Rruga drejt majës nuk është asnjëherë e lehtë për futbollistët, dhe pak prej tyre kanë fatin të kalojnë nga akademia e të rinjve drejt ekipit të parë të një klubi të madh.
Shumë të tjerë duhet të kalojnë një rrugë të gjatë e të vështirë — dhe një ndër ta është Antoine Semenyo, futbollisti që sot po shkëlqen me fanellën e Bournemouth, duke mahnitur tifozët në gjithë Anglinë.
Sot ai është ylli kryesor i skuadrës dhe një nga emrat më të përfolur në Ligën Premier, por rruga e tij drejt suksesit ka qenë e mbushur me pengesa.
Një fillim plot refuzime
Semenyo, me origjinë ganeze, nuk kishte asnjë rrugë të lehtë drejt futbollit profesionist. Në moshën 15-vjeçare, ai u refuzua nga akademia e Crystal Palace, me arsyetimin se “nuk ishte mjaftueshëm i talentuar”.
Para dhe pas kësaj, ai provoi fatin te Arsenali, Tottenhami, Chelsea, Fulhami, Charltoni dhe Millwalli, por të gjithë e refuzuan.
Refuzimi nga Crystal Palace ishte pika e fundit. I zhgënjyer, ai la futbollin për plot një vit, duke hequr dorë nga ëndrra e tij.
Kthesa e madhe
Pas 12 muajsh pushim, Semenyo u rikthye falë një prove të hapur në Bisham Abbey, ku talenti i tij tërhoqi vëmendjen e Dave Hockaday, ish-trajner i Leeds United dhe Forest Green Rovers.
Hockaday e bindi që të shkonte në kolegj në Swindon, dhe pas kësaj, Semenyo iu bashkua Bristol City.
“U zhduka nga radari. Asnjë nga miqtë e mi nuk e dinte që isha larguar. Por e dija që doja të bëhesha futbollist, dhe kjo kërkonte sakrificë”, kujton ai për kanalin Earn Your Stripes.
Nga ligat e ulëta në Ligën Premier
Fillimisht, ai u huazua te Bath City e më pas te Newport County, ku trajneri Michael Flynn e vuri menjëherë re talentin e tij.
“E pashë për pesë minuta dhe mjaftoi. Ishte i shpejtë, i fortë dhe përdorte të dyja këmbët. Lojtarët e mëdhenj përpiqeshin ta ndalonin, por nuk mundeshin — kishte fuqi të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.
Pas një gjysmësezoni fantastik me gjashtë gola dhe dy asiste, Bristol City e bleu përfundimisht. Chelsea kishte shfaqur interes, por Semenyo zgjodhi të vazhdonte rrugën e tij në Championship, përpara se të shpërthente në elitë.
Ylli i ri i Bournemouth
Në vitin 2023, Bournemouth e transferoi për 10 milionë euro, dhe sot vlera e tij ka arritur në rreth 90 milionë euro, me interes të fortë nga Arsenali, Liverpooli dhe Manchester United.
Në sezonin e kaluar, Semenyo regjistroi 11 gola dhe 6 asiste, ndërsa këtë sezon ka filluar furishëm me 6 gola dhe 3 asiste në 7 ndeshje, duke u renditur menjëherë pas Erling Haaland në listën e golashënuesve.
Sot, shumë ekspertë e cilësojnë Antoine Semenyo si lojtarin më të përmirësuar të Ligës Premier dhe një shembull frymëzues për çdo të ri që ëndërron futbollin profesionist.
Nga djaloshi që u refuzua gjashtë herë e hoqi dorë nga futbolli, në yllin që po kërkohet nga gjigantët e Anglisë — rruga e Semenyo është dëshmia se ëndrrat realizohen me durim, sakrificë dhe besim. /Telegrafi/