Puna e tyre është ‘çelësi’ kryesor në ndriçimin e rasteve kur bëhet fjalë për humbjen e jetës së një personi, në ndonjë krim, aksident apo edhe vdekje natyrale.
Mjekësia ligjore, përmes raportit të autopsisë përcakton shkakun dhe mënyrën e vdekjes.
Rreth rëndësisë së këtij raporti, për Klankosova.tv ka folur eksperti i kësaj fushe, Arsim Gërxhaliu.
Ai tregoi në detaje procedurat se si bëhet një raport i autopsisë.
“Pasi të kryhet ekzaminimi i vendit dhe viktimës, trupi dërgohet në IML për t’iu bërë autopsia. Më pas përpilohet raporti i gjetjeve të ndryshimeve (lëndimeve) dhe njëkohësisht përshkruhen të gjitha ndryshimet/ dëmtimet një nga një. Forma, ngjyra, madhësia dhe një përshkrim i mirë ndihmon edhe në konsistimin e mjetit i cili e ka shkaktuar, armë zjarru, mjetet që posedojnë maje dhe teh, mjetet mbretëse”.
“Por, duhet të kemi parasysh se nuk bëhet autopsia pa kaluar së paku 7-8 orë, meqë nuk lejohet që të fillohet me autopsi para se trupi të ftohet”, deklaroi Gërxhaliu për Klankosova.tv.
Ai shpjegoi se përveç autopsive ligjore ekzistojnë edhe të ashtuquajturat autopsi patologjike, e cila në fakte gjen sëmundjen e cila e ka sjellë deri te vdekja, përmes rezultateve histopatologjike.
“Vrasjet me armë zjarri, ato nga armët e “ftofta” apo nga goditjet me mjete të forta mbretëse, përshkruhen ndryshimet të cilat në fakte janë karakteristike për secilin mjet i cili e ka shkaktuar. Te aksidentet rrugore duhet të percaktohet shkaku i vdekjes dhe të vërtetohet se a janë nga aksidenti apo ndonjë vrasje dikund tjetër, por është tentuar të fshihet apo më mirë të thenë, inskenohet si aksident”, theksoi ai.
Eksperti i Mjekësisë Ligjore shtoi se gjithashtu shpesh ndodh që trupi gjendet nga vet familjarët, të cilët thërrasin policinë, dhe nëse ata i kanë dyshimet e tyre, kërkojnë nga Prokurori që t’i bëhet autopsia.
“Por, gjetjet në autopsi i vërtetojnë këto ndryshime dhe ipet mendimi se mundet të konsistoj ose jo me të dhënat e rastit. Gjithashtu, përmes analizave toksikologjike nga gjaku e urina, të vërtetohet se a ka qenë nën ndikimin e alkoolit, drogave, medikamenteve”, shtoi eksperti Mjeko-Ligjor për Klankosova.tv.
Veterani i kësaj fushe shtoi se autopsia duhet të bëhet me patjetër.
“Pra, në pyetjen se a duhet të bëhet gjithsesi autopsia? Unë them se duhet. Sepse largon çdo dilemë apo dyshim që zakonisht nga popullata (mediat) shpesh paragjykihet e besa edhe gjykohet ende pa u bërë autopsia”, deklaroi Arsim Gërxhaliu për Klankosova.tv.
Së fundmi, një ngjarje e rëndë e ka tronditur Kosovën.
Agon Zejnullahu, 27 vjeçar vdiq në rrethana ende të paqarta në orët e para të 7 korrikut në Lipjan.
Lidhur me rastin, në paraburgim gjenden pesë zyrtarë policorë që dyshohen për vepren “Vrasje nga pakujdesia”.
Shkaqet reale të vdekjes së të riut pritet të zbulohen pas publikimit të raportit të autopsisë./ Klankosova.tv
The post Gërxhaliu: Autopsia largon çdo dilemë, duhet të bëhet patjetër appeared first on Klan Kosova.