Gërvalla: Mosndëshkimi ushqen destabilizim, si në Banjskë

news image

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se mosndëshkimi ushqen destabilizim dhe se pa llogaridhënie nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Këto komente ajo i bëri gjatë pjesëmarrjes në takimin e Grupit të Miqve për Llogaridhënie të Agresionit ndaj Ukrainës.

Gërvalla theksoi nevojën për drejtësi dhe për veprime konkrete nga bashkësia ndërkombëtare ndaj agresionit rus në Ukrainë, duke e lidhur këtë qëndrim edhe me përvojën e vetë Kosovës.

“Dënova agresionin rus ndaj Ukrainës dhe theksova se mosndëshkimi ushqen destabilizim, siç e dëshmoi edhe sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë. Me Ukrainën ndajmë dhimbjen për jetët e humbura dhe respektin për qëndresën stoike të popullit ukrainas. Mbështetja jonë për Ukrainën mbetet konkrete dhe transparente.”

Ajo shtoi se Kosova e njeh mirë çmimin e lirisë dhe rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë.

“Në Kosovë, shumë mirë e njohim çmimin e lirisë dhe vlerën e veprimit të bashkësisë ndërkombëtare dhe aleatëve tanë. Dhe kur agresioni mbetet pa ndëshkim, rrezikon të përsëritet. Prandaj kërkojmë përgjegjësi të plotë për krimet e vazhdueshme në Ukrainë dhe mbrojtje të rregullave që garantojnë sigurinë e të gjithëve.”

Në fund të deklaratës, Gërvalla përsëriti përkushtimin e Kosovës për të mbështetur Ukrainën në mënyrë të qartë dhe të pakushtëzuar:

“Kosova do të qëndrojë krah Ukrainës me veprime të qarta dhe pa asnjë hap prapa, derisa agresioni të ndalet dhe drejtësia të vihet në vend. Lavdi Ukrainës dhe lirisë së saj.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/