Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se ka emëruar zëvendëskryeministren e dytë dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.
Sipas Kurtit, ky emërim synon të forcojë përkushtimin institucional për parandalimin dhe adresimin e dhunës, duke e trajtuar atë si çështje të sigurisë njerëzore dhe të drejtave themelore. Ai theksoi se përpjekjet për çrrënjosjen e dhunës ndaj grave dhe vajzave janë të vazhdueshme dhe kërkojnë përgjegjësi të përbashkët institucionale dhe shoqërore.
Kryeministri theksoi se përmes bashkëpunimit ndërsektorial është zbatuar Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022–2026), ku mbi 94 për qind e aktiviteteve janë zbatuar ose janë në proces zbatimi.
Ndër masat e ndërmarra, ai përmendi edhe mbështetjen financiare për strehimoret dhe organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare. Sipas tij, për periudhën 2021–2025 janë ndarë 7.3 milionë euro për të forcuar kapacitetet e tyre dhe për të ofruar mbështetje më të qëndrueshme për viktimat.
Kurti bëri të ditur gjithashtu se është lansuar Protokolli Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale, i cili vendos standarde të qarta për reagimin institucional dhe trajtimin dinjitoz të viktimave. Në të njëjtën kohë është zgjeruar qasja në drejtësi përmes ofrimit të ndihmës juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Ai theksoi edhe miratimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe ndryshimet në Kodin Penal të Kosovës, ku dhuna ndaj grave është përcaktuar si vepër penale dhe janë paraparë dënime plotësuese për personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje apo dhunim seksual.
Sipas kryeministrit, janë ndërmarrë edhe reforma në sistemin e shërbimeve sociale dhe familjare, duke përfshirë projektligjin për këto shërbime dhe përmirësimin e raportimit përmes moduleve të reja në bazën kombëtare të të dhënave për dhunën në familje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


