Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Ferizaj ndaj grupit të dyshuar për vrasjen e zyrtarit policor Muhamed Lika, më 1 prill të vitit të kaluar, sot në Klan Kosova ka folur gazetarja Blerta Ahmeti, e cila e ka hulumtuar këtë çështje.
Në emisionin ‘Kosova Today’, Ahmeti ka dhënë detaje për aktakuzat e ngritura ndaj Rejhan Belës dhe grupit tjetër, të cilat sipas saj janë pothuajse të njëjta.
Në këtë të fundit, gazetarja thotë se janë të përfshira edhe deklaratat e disa kolegëve të tashmë të ndjerit, transmeton Klankosova.tv
“Nga ajo që kam lexu në dy aktakuzat, e zeza mbi të bardhën e shkruar, nuk dallon asgjë njëra nga tjetra. Pothuajse janë të njëjta. Në aktakuzën e dytë, janë të përfshira edhe deklaratat e disa zyrtarëve policorë, ish-kolegë të Likës, të cilët kanë treguar se Muhamed Lika nuk ka pasur asnjë problem me askënd, para se të ndodhte vrasja.”
Sipas saj, deri më sot, Prokuroria nuk e ka identifikuar ‘vrasësin e vërtetë’, prandaj ajo thotë se duhet të zgjerohen hetimet nga ky institucion.
“Në fakt, deklaratat e para të të gjithë zyrtarëve, kanë qenë se Muhamed Lika është vrarë për shkak të punës së tij. Më pas është bëre propagandë për terrorizëm, për ta bërë akoma më të madhe. Unë nuk jam ajo që mund të them nëse e kanë bërë vrasjen personat e arrestuar, por ajo çka duhet të them është se Prokuroria duhet t’i zgjerojë hetimet dhe ta gjejë vrasësin e vërtetë të zotit Likës. Jam e bindur se nga provat që ka Prokuroria, mungon identifikimi i vrasësit të vërtetë.” – tha Ahmeti në Klan Kosova.


