Gashi: Rruga është e qartë – ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje

Gashi: Rruga është e qartë – ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje

Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë sot vendimin lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Sipas vendimit, nga dita e hyrjes në fuqi, Kuvendi ka vetëm 12 ditë kohë për të përmbyllur procesin e zgjedhjes së strukturave të tij udhëheqëse. Gjykata ka obliguar të gjithë deputetët që të ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke vepruar në interes të shtetit.


Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka theksuar se “logjika kushtetuese është e qartë: nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit, ai shpërndahet dhe qytetarët shkojnë në zgjedhje brenda 45 ditëve. Nuk ka më justifikime për bllokada politike.”

“Vendimi i Gjykatës i jep vendit një afat të qartë për të shmangur krizën politike: ose Kuvendi konstituohet shpejt, ose qytetarët do të vendosin përsëri në zgjedhje”, tha Gashi.

Lëvizja Vetëvendosje, parti që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe aktualisht është në pushtet, e ka kritikuar masën e vendosur nga Kushtetuesja prej kur është pranuar lënda, ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë ditë më parë se beson që bllokimi i Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga pakica serbe, përderisa Kryesia e tij ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti.

Sipas saj, votimi në pako për dy pozitat e rezervuara për minoritetet nuk kërkohet me Kushtetutë, siç pretendon Lista Serbe, dhe se Rregullorja e Punës e Kuvendit nuk është mbi dokumentin më të rëndësishëm në vend.

Pavarësisht se kanë kaluar muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Kosova vazhdon të mos i ketë institucionet e reja. Partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë arritur pajtueshmëri për të çuar procesin përpara dhe për rrjedhojë Gjykata Kushtetuese është detyruar të dalë disa herë me aktgjykime.

Në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje doli e para dhe fitoi 48 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe me nëntë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Faktori ndërkombëtar ka bërë disa herë thirrje që Kosova t’i formojë sa më shpejt institucionet e reja.