Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka treguar qartë se çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues.
Gashi ka theksuar se ka vetëm dy rrugë përpara: konstituim ose zgjedhje të reja.
Reagimi i plotë i tij në ‘Facebook’:
Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë sot vendimin lidhur me konstituimin e Kuvendit. Mesazhi është i qartë: Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit, Kuvendi ka vetëm 12 ditë kohë për ta përmbyllur procesin.
Gjykata i ka obliguar të gjithë deputetët që të ushtrojnë funksionin e tyre në interes të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Logjika kushtetuese është e qartë: nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues, ai shpërndahet dhe qytetarët vendosin përsëri në zgjedhje brenda 45 ditëve. Nuk ka më justifikime për bllokada politike.
Pra, rruga është e thjeshtë: ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!