Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka folur për emërimin e Ozkan Ulutashit për herë të dy në krye të komandës së KFOR-it në Kosovë.
Gashi tha derisa në krye të KFOR-it në Kosovë ishin komandantë nga Britania e Madhe, ata përqendroheshin në fushën e sigurisë dhe angazhime të drejtpërdrejta të faktorit forcë, por sipas tij, Turqia ka luajtur rol më liberal.
“Nëse i referohemi komandantëve nga Britania e Madhe, ata janë përqendruar zakonisht në fushën e sigurisë dhe angazhime të drejtpërdrejta të faktorit forcë dhe luftimit të grupeve kriminale”.
“Pastaj Gjermanisë dhe Italisë kanë pasur një qasje pak më ndryshe, bashkëpunim me shoqëri civile dhe aktivitete të tjera. Kurse, Turqia ka luajtur një rol më liberal në kuptimin e komunikimit qoftë me komunitetin lokal, qoftë edhe me raportet që ka aktualisht me Kosovën dhe Serbinë”, tha Gashi në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se ky lojalitet i Turqisë mes dy shteteve e ka vënë në përparësi që komanda t’i jepet misionit turk në Kosovë për herë të dytë.
“Nga marrja e mandatit, deri në përfundimin e tij, raportet për shkak edhe të përvojës që ka pasur, për faktin se misioni turk në Kosovë ka edhe disa aktivitete që i zhvillon përmes bashkëpunimit të këtij misioni me komunitetin turk ku jeton popullata pakicë”.
“Dhe ky bashkëpunim të misionit të NATO-s dhe komandantit të saj në mision në Kosovë ka pasur impaktin e drejtpërdrejt që të ndiqet një linjë më liberale e komunikimit në mes misionit të NATO-s në Kosovë dhe institucioneve të Kosovës”, tha ai.
Dje në Kampin “Film City” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë, ku Gjenerali i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani ia dorëzoi këtë post, Gjeneralmajorit të Ushtrisë Turke, Ozkan Ulutashit.
The post Gashi: Lojaliteti i Turqisë në raport me Kosovën i ka dhënë përparësi për marrjen e komandës së KFOR-it appeared first on Klan Kosova.