Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po tenton të bllokojë funksionimin e institucioneve shtetërore.
“Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim. Këtë e pamë qartë edhe dje: sapo u zgjodh Kryetari i Kuvendit, VV nisi obstruksionet duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re për muajt e ardhshëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shtuar se VV me vetëdije kërkoi nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, raporton Klankosova.tv.
“Me vetëdije, kërkuan nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që qartë thotë se duhet të zbatohet rendi i ditës i përcaktuar për seancën konstituive. Pasi nuk patën sukses në tërësi, vendosën të përqendrohen te nënkryetari serb – duke shfrytëzuar ndjeshmërinë dhe duke llogaritur se reagimi i partive tjera do të ishte më i zbehtë”, ka shkruar deputeti i LDK-së.
Sipas tij, pasojat e këtij veprimi janë të rënda për vendin.
“Rezultati? Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional”, ka thënë ai.
Në fund, deputeti ka theksuar se LDK është forca politike që mbetet përgjegjëse në situata të tilla.
“Politika ka rënë në pikën më të ulët, ku shihet vetëm përfitimi momental, jo siguria dhe interesi i shtetit e i shqiptarëve të Kosovës. LDK ka qenë dhe do të mbetet forca vizionare, përgjegjëse dhe zgjidhëse e situatave”, shkroi tutje Gashi.
The post Gashi (LDK): Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve appeared first on Klan Kosova.