Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur thotë se Serbia po vazhdon të pengojë procesin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe se po kërkon të rishikojë termat e referencës të dakorduara në dhjetor të vitit 2024.
Gara në intervistë për Ekonomia Online tha se institucionet e Kosovës kanë trajtuar vazhdimisht çështjen e të pagjeturve si një prioritet dhe se Serbia po e politizon këtë temë, transmeton Klankosova.tv.
“Ajo që mund të thuhet është fakti që institucionet e Kosovës, Komisioni qeveritar, delegacioni i Kosovës dhe gjitha institucionet e shtetit, në vazhdimësi kanë adresuar çështjen e personave të zhdukur si çështje prioritare. Pashmangshëm pothuajse në të gjitha takimet e edhe të nivelit dialogues, por edhe trajtimet e tjera të nivelit të lartë. Edhe në takimin e fundit pashmangshëm një nga çështjet e adresuara me shumë prioritet mbetet çështja e personave të zhdukur”.
Duke folur për qasjen e Serbisë, Gara shtoi se ajo vazhdon të pengojë procesin duke politizuar çështjen e të zhdukurve.
“Serbia ka shfaqur atë përpjekjen e saj të vazhdueshme për politizim edhe të çështjeve, këtë rast edhe të temës së personave të zhdukur që rrjedhimisht kjo kërkesë para së gjithash nënkupton një mosgatishmëri për të zbatuar ose për të adresuar zotimet që janë paraparë në deklaratën e datës 2 maj dhe pashmangshëm në mesin e zotimeve ose zotimit kyç në këtë rast përfshihen edhe zotimet për hapjen e arkivave të institucioneve të Serbisë, përgjegjëse për krimet e përmasave gjenocidiale apo edhe zotimet për adresim pa vonesë të gërmimeve të lokacioneve tani më të shënuara në territorin e Serbisë”, tha ai.
Ai theksoi se Serbia po vonon procesin dhe po sfidon rëndë familjet e personave të zhdukur.
“Ndërlidhen me prolongim ose përpjekje të Serbisë për moszbatim të deklaratës së përbashkët, pra për mosadresim të zotimeve, në këtë rast rrjedhimisht i bie përmes këtij politizimi Serbia vazhdon vonesat, qoftë në ofrimin e informatave nga arkivat e tyre, vazhdon me mosgatishmëri për të vënë në dispozicion të procesit të dhënave nga arkivat e tyre dhe vazhdon në këtë rast për gatishmërinë për të lejuar gërmimet në lokacionet e shënuara me shumë prioritet, si në rastin e Batanjicës dhe lokacionet tjera, që pashmangshëm në këtë rast sfidon dhe rëndon procesin e mbi të gjitha për vetë familjet dhe familjarët e personave të zhdukur”, tha ai.
The post Gara: Serbia po politizon çështjen e personave të zhdukur appeared first on Klan Kosova.