Një ndërhyrje estetike që duhej të sillte përmbushje, jo vetëm që përfundoi me pakënaqësi por edhe me akuza.
Çfarë ndodhi realisht në klinikën “Bonsai” në Prishtinë? A është fjala për një procedurë të kryer gabimisht, apo për një kliente që nuk iu përmbajt udhëzimeve pas trajtimit?
Blerta Berisha, pronare e klinikës, ka folur për emisionin Kiks Kosova për të sqaruar rastin me klienten e saj, e cila e akuzoi se sa nuk ia verboi syrin kur kishte injektuar botoks në qershor të 2025-ës.
Sipas klientes, pas trajtimit syri i është infektuar dhe qepalla i kishte rënë.
Estetistja konfirmon se Hadia Abdulfetah ka qenë kliente e saj dhe ka kryer disa ndërhyrje.
Por ajo mohon që t’i ketë rekomanduar botoks në sy për tërheqjen e tyre.
Sipas saj, çdo klient nënshkruan kontratë ku janë të listuara efektet anësore të mundshme nga botoksi dhe fillerët.
E të njëjtën procedurë sipas saj e kishte ndjekur edhe Hadia, klientja e saj egjiptiane.
Ajo thekson se këto produkte nuk reagojnë njësoj tek të gjithë dhe rreziku për komplikime ekziston gjithmonë.
Berisha shpjegon se Hadia kishte ardhur në klinikë me rekomandimin e një shoqeje, e cila më herët kishte mbetur e kënaqur me shërbimin në klinikën e saj.
Dyshimet e saj lidhen me faktin që Hadia mund të mos ketë respektuar udhëzimet pas injektimit si ndalimi i prekjes së syve, shmangia e fërkimit, mosshtrirja për së paku gjashtë orë dhe kujdesi ndaj aktivitetit fizik.
Për ta mbështetur këtë version, ajo përmend si dëshmitare pikërisht shoqen që e kishte shoqëruar Hadian në klinikë, me të cilën ende mban kontakte.
Berisha thotë gjithashtu se klientja i është dukur e pakënaqur në përgjithësi, duke kujtuar se vetë ajo kishte dalë e pakënaqur edhe me injektimet që i kishte bërë në vendlindjen e saj në Egjipt.
Biznesi i Blerta Berishës, është i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, me një punëtore të deklaruar si dhe me aktivitete, për mirëmbajtjen trupore, trajtimet e bukurisë, e aktivitetët e tjera të shëndetit.
The post “Gabimi nuk është te ne, ajo nuk ndjeki këshillat pas injektimit”, klinika mohon akuzat e klientes nga Egjipti (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.