Fushata zgjedhore në ditët e fundit, më 12 tetor qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokalë

Zgjedhjet e 12 tetorit, çfarë solli java e parë e fushatës?

Kandidatët për kryetarë të komunave dhe për asamble komunale janë tashmë në ditët e fundit të fushatës zgjedhore.

Më 12 tetor, qytetarët do të drejtohen në kutitë e votimit për të zgjedhur udhëheqësit e komunave të tyre për katër vitet e ardhshme, transmeton Telegrafi.


Gjatë këtyre ditëve, subjektet politike kanë vazhduar takimet me qytetarët në vende të ndryshme, ku kanë prezantuar programet e tyre për drejtimin e komunave.

Fushata ka qenë kryesisht e qetë dhe nuk janë raportuar incidente. Megjithatë, disa ankesa janë paraqitur në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ky panel ka shqyrtuar disa nga ankesat dhe ka shqiptuar gjoba ndaj disa partive politike.

Në vendimet e fundit, PZAP ka pranuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Partisë Demokratike të Kosovës.

PZAP ka dënuar me 500 euro Partinë Demokratike të Kosovës.

“Detyrohet Subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, që gjobën e shqiptuar si në pikën -II- të dispozitivit të këtij vendimi, ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e PZAP-it.

Në arsyetimin e PZAP-it, thuhet se më datë dy tetor, ka pranuar një ankesë nga subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, në të cilën theksohet se më datë 01.10.2025 kandidati i PDK-së Ilirik Musliu, ka vendosur material reklamues zgjedhor në udhëkryqin mes Rrugës B dhe rrugës Enver Maloku, në Prishtinë nenin 34 paragrafi 1.2 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, dispozitë me të cilën ndalohet vendosja e posterëve në apo mbi rrugët publike.

Vendimi e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.

Me tutje thekson se vendosja e posterëve në udhëkryqin e përmendur përbën shkelje të qartë të kësaj dispozite ligjore, duke cenuar barazinë e subjekteve politike në procesin zgjedhor dhe duke e shfrytëzuar hapësira publike rrugore në mënyrë të kundërligjshme.

Po ashtu, PZAP ka pranuar edhe ankesën e Partisë Demokratike e Kosovës me seli Prishtinë, dhe ka shqiptuar gjobë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

PZAP ka dënuar me dy mijë euro LVV-në.

“Subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) detyrohet që gjobën e shqiptuar si në pikën -II të dispozitivit të këtij vendimi, ta paguaj në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

Në arsyetimin e PZAP-it, thuhet se më datën 30.09.2025 ka pranuar një ankesë nga Partia Demokratike e Kosovës, paraqitur kundër Qemajl Aliu, kandidat për kryetar të Komunës në Shtime, nga radhët e Subjektit Politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, dega në Shtime, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.

Në ankesë thuhet se kandidati në fjalë ka shfrytëzuar faqen zyrtare të Komunës se Shtimes në Facebook ku ka publikuar një postim lidhur më garën e motocross-it të mbajtur në fshatin Mollopolc (Shtime). Në përmbajtjen e videos së publikuar është përfshire fotografia dhe slogani elektoral i kandidatit për kryetar nga LVV në Shtime, Qemajl Aliu, me mbishkrimin “Vazhdojmë transformimin- Qemajl Aliu”.

Parashtruesi i ankesës thekson se ky veprim bie ndesh më legjislacionin zgjedhor në fuqi LigjiNr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, neni 4, par.1.7, përcakton së “ përdorimi i zyrave publike, burimeve ose personelit të cilitdo institucion në nivel qendror ose lokal me qëllim të mbështetjes së një subjekti politik në zgjedhje është rreptësishtë i ndaluar “Si provë, parashtruesi i ankesës, ka bashkangjitur linkun e postimit në rrjetin.

Vendimi e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.

Zgjedhjet lokale në Kosovë zhvillohen çdo katër vjet dhe janë të rëndësishme për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe anëtarëve të asambleve komunale.

Përmes zgjedhjeve lokale, qytetarët kanë mundësinë të përcaktojnë drejtuesit që do të menaxhojnë zhvillimin e komunave të tyre. Telegrafi/