Fushata zgjedhore drejt fundit, mbeten edhe tre ditë deri në heshtjen zgjedhore

Fushata zgjedhore drejt fundit, mbeten edhe tre ditë deri në heshtjen zgjedhore

Mbeten edhe tre ditë deri në fillimin e heshtjes zgjedhore përpara zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 19 tetor. Deri atëherë, partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e pavarur do të vazhdojnë me prezantimin e programeve të tyre para qytetarëve dhe me promovimin e kandidatëve për kryetarë komunash.

Edhe sot janë paralajmëruar tubime dhe takime të drejtpërdrejta me qytetarët në disa komuna të vendit.
Koalicioni i udhëhequr nga OBRM-PDUKM do të zhvillojë tubime dhe takime në Probishtip, Makedonska Kamenicë, Pehçevë, Berovë dhe Dellçevë.


Koalicioni i udhëhequr nga LSDM do të mbajë tubime në Qendrën e Zhupës, Dibër, Gostivar dhe Mavrovë-Rostushë.
Ndërkohë, kandidati i pavarur për kryetar të komunës së Gostivarit, Visar Ademi, do të mbajë një konferencë për shtyp në orën 10:00, ku do të prezantojë platformën e tij “Pesë premtimet për Gostivarin”.

Në kuadër të fushatës, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore do të mbajë sot një takim me kandidatin e pavarur për kryetar të komunës së Strugës, Mendi Qyra. Si pjesë e traditës së saj, Oda zhvillon takime me partitë politike dhe kandidatët për të prezantuar Platformën për Zhvillim Ekonomik Lokal, me qëllim që të paraqesë qëndrimet dhe prioritetet e komunitetit afarist.

Fushata zgjedhore përfundon zyrtarisht më 17 tetor në mesnatë, ndërsa më 18 tetor nis heshtja zgjedhore, që do të zgjasë deri në ditën e votimit, më 19 tetor.