Fushata “Toka Jonë, Shija Juaj” starton me të rinjtë e Prishtinës

Fushata “Toka Jonë, Shija Juaj” starton me të rinjtë e Prishtinës

Në kuadër të fushatës “Toka jonë, Shija juaj”, u mbajt një prezantim në Shkollën e Mesme Bujqësore “Avdyll Frashëri” në Prishtinë, me qëllim ngritjen e njohurive të nxënësve për rëndësinë e bujqësisë organike si një sektor i së ardhmes për Kosovën.

Ky aktivitet kishte për synim t’i motivojë të rinjtë të mendojnë për rolin e tyre si konsumatorë të vetëdijshëm të produkteve organike, agronomë, ndërmarrës(e) apo fermerë të ardhshëm që do të zhvillojnë praktika të qëndrueshme që do të kontribuojnë në prodhimin dhe tregtimin e këtyre produkteve.


“Ky aktivitet është një hap i rëndësishëm drejt promovimit të produkteve organike dhe zhvillimit të një tregu të shëndetshëm e të qëndrueshëm në Kosovë,” tha Faton Nagavci, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Organika. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për drejtorisnë e shkollës për bashkëpunimin.

Aktivitetet e fushatës kulmojnë me hapjen e eventit tradicional “Toka jonë, Shija juaj” me produkte vendore që këtë vit do të mbahet në Prishtina Mall,13 shtator 2025, duke filluar nga ora 14:00.

Ky event synon të rrisë vetëdijen për rëndësinë e konsumimit të produkteve vendore dhe të fuqizojë prodhuesit lokalë, përmes aktiviteteve të shumta, degustimeve dhe prezantimeve nga prodhuesit vendorë.

Këto aktivitete vetëdijësuese dhe promovuese organizohen në kuadër të programit #EREA, i cili implementohet nga Caritas-i Zviceran, financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim dhe realizohet në bashkëpunim me shoqatat Pepeko, Organika dhe Mjedra e Kosovës.

Prania e publikut dhe e mediave në këtë ngjarje pritet të japë një shtysë të fortë në promovimin e prodhimeve vendore dhe të shijes autentike që ofron toka jonë.