Fushata te ndërmarrjet: VV “guxon” të kërkojë votat e bizneseve (VIDEO)

Fushata te ndërmarrjet: VV “guxon” të kërkojë votat e bizneseve (VIDEO)

Bizneset u deshën të ndajnë goxha kohë të premten, për mysafirë që nuk blenë gjë te ta.

Kjo pasi një pjesë e kandidatëve për kryetarë të komunave të ndryshme, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, vendosën që këtë ditë të bëjnë fushatë elektorale nëpër firma e ndërmarrje të vendit, raporton Klan Kosova.

Shpejtim Bulliqi, që po do edhe më tej të mbetet kryetar në Podujevë, deklaroi se korporatat janë zemra e ekonomisë së Llapit, pronarët e të cilëve edhe i lëvdoi fort.

Bashkëpartiaku i Bulliqit që po garon për Ferizajn, Enver Haliti, e nisi ditën me ëmbëlsi.

Ky vizitoi një fabrikë të ëmbëlsirave ku premtoi mbështetje për bizneset e grave, nëse arrin të bëhet kryetar.

Një vend ku bëhen produkte të ngjashme vizitoi edhe Faton Peci që po garon për Mitrovicë.

Këtu, kryetari i Listës Guxo tha se ai, nëse fiton, do të shtojë mbështetjen për të gjitha bizneset në mënyrë që ato të rrisin kapacitetet prodhuese dhe fitimet.

Kaloritë që i mori aty, Peci i dogji kur luajti pak futboll me rastin e vizitës të klubi Trepça ’89. Ai aty premtoi një muze alternativ për historinë e lavdishme të sportit në Mitrovicë.

Homologu i Pecit nga Shtimja, u krenua me ato që i quajti investime kapitale të bëra në këtë komunë.

E Halil Thaçi në Obiliq, derisa doli në terren me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, vendosi të lavdërojë punën e qeverisë para se të bëjë premtime per vete. /Klankosova.tv

The post Fushata te ndërmarrjet: VV “guxon” të kërkojë votat e bizneseve (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.