Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka arritur një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke u dekoruar me medaljen e argjendtë në garën prestigjioze “Cambrian Patrol”, të organizuar nga Ushtria Britanike në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas njoftimit të FSK-së, ekipi nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë i Komandës së Forcave Tokësore mori pjesë në këtë garë si pjesë e aktiviteteve bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar dhe arriti të renditet në mesin e më të mirëve, duke fituar medaljen e argjendtë në konkurrencën prej 118 ekipeve, përfshirë 35 ekipe ndërkombëtare nga 33 shtete të ndryshme të botës.
“Gara ‘Cambrian Patrol’ është një nga garat më sfiduese në botë dhe ekipet kalojnë nëpër detyra sfiduese ushtarake si përgatitje taktike, përballje me rreziqe CBRN, operacione mjekësore, rikonicion dhe zbulim të forcave, sulm, eksploziv dhe fushë të minuar, kalim i pengesave ujore, caqe të artilerisë fushore, dhe përballje me situata të burgosurve”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Ekipi i FSK-së tregoi angazhim të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm të lartë, duke arritur këtë rezultat të lartë në një garë të njohur për vështirësitë dhe standardet e saj të larta.
“Ekipi i FSK-së nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë i Komandës së Forcave Tokësore gjatë garës ka treguar angazhim të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm të lartë duke arritur Medaljen e Argjendtë. Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon me sukses në aktivitetet ndërkombëtare”, thuhet më tej në njoftim.
Çmimet për ekipet pjesëmarrëse u ndanë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, Gjeneral Sir Roly Walker, ndërsa nga FSK morën pjesë Atasheu i Mbrojtjes Kolonel Agron Bajrami, Komandanti i Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë Nënkolonel Jaser Mulla dhe Rreshter majori Komandues Fehmi Lulaj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!