Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se, me mbështetjen e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimeve dhe Asistencës së Sigurisë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (SATMO), po vazhdon përpjekjet për avancimin dhe forcimin e kapaciteteve operacionale dhe mbështetjes luftarake të personelit ushtarak.
Në kuadër të këtyre përpjekjeve, FSK-ja ka bërë të ditur se ushtarët e Kosovës po realizojnë aktivitetin e gjuajtjes me mortaja, stërvitje kjo që po zhvillohet në Shqipëri, në koordinim të ngushtë me SATMO dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
“Në përputhje me planet e trajnimit dhe në koordinim të ngushtë me SATMO, si dhe me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, po realizohet aktiviteti i gjuajtjes taktike me mortaja në stërvitjen që po zhvillohet në Biza të Republikës së Shqipërisë. Ky aktivitet synon rritjen e gatishmërisë operative, forcimin e bashkëpunimit rajonal mes forcave tona dhe partnerëve ndërkombëtarë,” bëhet e ditur në njoftim.
FSK-ja thekson se trajnimi është zhvilluar në pjesën teorike dhe praktike, me fokus në tri detyra kryesore:
“Trajnimi me mortaja (Mortar training), Kursi për udhëheqës të këmbësorisë dhe mortajave (Infantry mortar leader course), Vëzhgues i përparmë (Forward observer), ku janë stërvitur në: përdorimin e sigurt të mortajave, shënjestrimin, gjuajtjen, stërvitje e procedurave të koordinimit dhe komunikimit midis elementeve të zjarrit dhe njësive taktike, shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira me trajnerët dhe këshilltarët e partnerëve ndërkombëtarë.”
Forca e Sigurisë së Kosovës thotë se ky bashkëpunim forcon kapacitetet profesionale të saj dhe kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin rajonal përmes trajnimit të sinkronizuar dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!