E enjte, 31 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeFSK-ja në veri, Prenkaj: Qeveria e vetëquajtur në detyrë u kritikua ashpër...

FSK-ja në veri, Prenkaj: Qeveria e vetëquajtur në detyrë u kritikua ashpër nga diplomatët e huaj – do të ketë kosto

Ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, është i mendimit se tonet e larta me të cilat komunikuan ambasadat e huaja të akredituara në Kosovë për ngjarjet e fundit me FSK-në në veri, erdhën si pasojë e një gjendjeje të jashtëzakonshme.

Mëngjesin e djeshëm njësite të FSK-së për kërkim-shpëtim në ujëra, morën pjesën në operacionin për gjetjen e personit që ishte shpallur i zhdukur më 27 korrik, pasi kishte kërcyer nga ura e Ujmanit.

Dërgimin e FSK-së në pjesën veriore të vendit, aktorë të pushtetit në detyrë e konsideruan si fitore të qeverisë, duke harruar me raste se ky operacion ishte humanitar.

Ndërkaq Prenkaj, në një opinion dërguar për Klankosova.tv, tha se kritikat, që fillimisht erdhën nga Ambasada gjermane, e pastaj edhe nga ajo e Francës, “nxorën tone kritike në drejtim të deputetëve të certifikuar nga KQZ të së ashtuquajturës ‘qeveri në detyrë’”.

“Kritikë e ashpër që në diplomaci konsiderohet tonalitet i lartë dhe tejet serioz në marrëdhëniet në mes shteteve”, theksoi ish-ambasadori, raporton Klankosova.tv.

Më tej, ai përmend edhe prononcimet e Ambasadës së Britanisë së Madhe, e cila thotë se paraqiti pozicionin e saj, ose të shtetit, “me tonalitet të lavdërimit të angazhimit të KFOR-it dhe FSK-së, Policisë dhe EULEX-it, si dhe Ambasada e Italisë e cila lavdëroi angazhimin e KFOR-it dhe komandantit që vjen nga radhët e Ushtrisë Italiane, por jo dhe FSK-në”.

“Në relacionet diplomatike të kodifikuara përmes konventave, qartësisht rregullohet komunikimi diplomatik. Në momentin kur komunikimi diplomatik del jashtë kornizave konvencionale, atëherë bëhet fjalë për një gjendje të jashtëzakonshme. Në këto raste, përfaqësuesit e shteteve dërguese komunikojnë me publikun, në mungesë të autoriteteve legale dhe legjitime të vendit pritës”, thotë Prenkaj.

Ish-ambasadori shprehet i habitur nga fakti se si Komandanti i KFOR-it, gjeneral Enrico Barduani, “ka marrë parasysh kërkesën e një të vetëquajture ‘qeveri në detyrë’ për të dërguar njësitin e kërkim shpëtimit të FSK-së për trajtimin e rastit të të mbyturit 33-vjeçar në liqenin e Ujmanit”.

Ai thotë se “nëse dëshiron të kultivojë relacione me institucionet e Kosovës, Com KFOR ka mundësi të komunikojë me Presidencën, si komandant i FSK-së, në mënyrë që të respektohet hierarkia institucionale, por jo me të vetëquajtur ministër”.

Albert Prenkaj shprehet se ishin deklaratat e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci për suksesin e FSK-së në rastin e nxjerrjes së viktimës nga liqeni i Ujmanit, ato që shkaktuan reagime të ambasadorëve të akredituar në Kosovë.

Ai i konsideron të frikshme reagimet “‘interesante’ me tonalitete revolucionare që i drejtohen ambasadorëve të huaj ‘… me shku në shtëpi’ nuk janë origjinale”.

“I kemi dëgjuar publikisht, po e ripërsëris, publikisht, poashtu nga ish-ministrja Gërvalla-Schwarz, që konsiderohet blasfemi diplomatike. Këto deklarime kanë ndodhur si paralajmërime për përmbysje të sistemeve demokratike”, mendon ish-ambasadori.

Prenkaj thekson se “deklaratat publike të ambasadorëve të vendeve që janë sponsorë të shtetit të Kosovës duhet të merren me seriozitet të shtuar, si qortime të skajshme publike të cilat mund të jenë të kushtueshme për Kosovën edhe pas Qeverisë Kurti 2 dhe grupacionit jo legal dhe jo legjitim të deputetëve të certifikuar nga KQZ që veprojnë jashtë kompetencave ligjore dhe kushtetuese si e vetëquajtur ‘qeveri në detyrë’”.

“Nuk dyshoj se tonalitetet e deklarimeve të ambasadorëve të akredituar në Kosovë do të lënë shenjë në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe këtyre vendeve. Në marrëdhëniet mes vendeve çdo gjë mbetet e regjistruar në memorie shtetërore dhe çdo komunikim ka kosto”, potencoi ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj. /Klankosova.tv

The post FSK-ja në veri, Prenkaj: Qeveria e vetëquajtur në detyrë u kritikua ashpër nga diplomatët e huaj – do të ketë kosto appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT