Dërgimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri duhet të bëhet paraprakisht me miratimin e NATO-s.
Ky rregull vlen edhe sot.
Kjo bazuar në letrën e 19 prillit 2013-të, që asokohe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ia pati dërguar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë jap garanci se FSK-ja do të ndërmarrë mision në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Thaçi njofton Klankosova.tv.
Derisa sekretari i atëhershëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, e pati mirëpritur zotimin e shefit të qeverisë kosovare.
“Faleminderit për letrën e juaj të dërguar më 19 prill 2013.
Unë pranoj garancinë tuaj që siguroni se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ndërmarrë një mision në veri të Kosovës vetëm me pajtimin paraprak të Forcës së Kosovës (KFOR) të NATO-s. Që nga krijimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në vitin 2008, KFOR ka punuar ngushtë me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe udhëheqjen e saj civile. Ajo që ju thoni do të ndërtonte marrëdhënie të gjatë dhe praktikë normale të KFOR-it për t’u angazhuar me udhëheqësit legjitimë të komuniteteve në të gjithë Kosovën në lidhje me çështjet e sigurisë që janë në mandatin e tij. Unë do të theksoja që ajo që ju keni thënë në asnjë mënyrë nuk nënkupton angazhime shtesë për KFOR-in dhe nuk do të ndikonte në kohëzgjatjen e misionit të KFOR-it”, thuhet në letren e shefit të NATO-s.
Kjo temë u trajtua edhe nga sekretari aktual i NATO-s, Mark Rutte, i cili në një konferencë të përbashkët me Vjosa Osmanin, foli rreth mandatit të FSK-së.
Rutte, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, pati deklaruar se NATO sigurohet që FSK-ja të jetë efektive “si forcë humanitare kur ka fatkeqësi natyrore ose njerëzore”.
“Mandati është që të sigurohemi që FSK-ja të jetë efektive në rolin e saj humanitar këtu në Kosovë. Kështu është saktësisht mandati i NATO-s, për ta ndihmuar FSK-në që të jetë më e mirë si forcë humanitare kur ka fatkeqësi të tilla natyrore ose njerëzore. Ky është mandati, në këtë punojmë çdo ditë dhe vazhdimisht”, pati deklaruar Rutte në këtë konferencë për media.
Derisa sot, ushtarët e FSK-së me lejen e NATO-s janë angazhuar në një operacion të kërkim -shpëtimit për gjetjen e 33-vjeçarit, i cili pasditen e së dielës u hodh në Liqenin e Ujmanit.
Dikur Lëvizja Vetëvendosje, e kishte kritikuar marrëveshjen e Thaçit, duke thënë se tani kompetencat e FSK-së dhe veprimi në veri do të jetë i hendikepuar, sot eksponentë të kësaj partie janë krenuar me paraqitjen e ushtarëve të Forcës së Sigurisë në Ujman.
The post FSK-ja në veri me leje, kjo ishte garancia që Thaçi i dha shefit të NATO-s para 12 vjetësh appeared first on Klan Kosova.