Një fshat i vogël suedez me vetëm 1,485 banorë, Hallevik, po shkruan historinë në futboll. Klubi i tyre, Mjallby, ka siguruar një vend në garat evropiane për sezonin 2026/27, duke luajtur për herë të parë në Evropë, dhe është gjithashtu në prag të fitimit të kampionatit suedez.
Me pesë raunde të mbetura, Mjallby ka një epërsi prej 11 pikësh ndaj Hammarbyt të vendit të dytë dhe do të duhej një mrekulli që të mos fitonte titullin e parë suedez në historinë e tij.
Ky sukses duket edhe më impresiv kur kujtojmë se klubi ka një rrugëtim të jashtëzakonshëm: deri vonë luante në ligat e ulëta suedeze, duke kaluar nga liga e katërt në nivelin më të lartë në vetëm disa vite.
Nga viti 2015 deri në 2018, Mjallby ishte në ligën e tretë, më pas fitoi ngjitjen në dy sezone radhazi dhe tani luan në elitën suedeze për gjashtë vitet e fundit. Gjatë kësaj periudhe, renditet nga vendi i pestë në të dhjetën, duke treguar përmirësim të vazhdueshëm.
Sipas Transfermarkt, Mjallby është skuadra e nëntë më e vlefshme në Suedi, me një vlerë totale lojtarësh prej 15.7 milionë eurosh.
Kampionati suedez zakonisht dominohet nga klube si Malmo (40 milionë euro), Hammarby (mbi 30 milionë), Djurgarden (25 milionë), si dhe Elfsborg, AIK dhe Hacken (të gjithë me vlerë mbi 20 milionë euro).
Megjithatë, këtë vit, Mjällby ka treguar se mund të ndryshojë hierarkinë dhe të shpallet surpriza më e madhe e futbollit suedez. /Telegrafi/