Frikë për më të keqen në futbollin gjerman, Karius e lëndon kundërshtarin pa dashje

Frikë për më të keqen në futbollin gjerman, Karius e lëndon kundërshtarin pa dashje

Në ndeshjen midis Schalke dhe Arminia Bielefeld, e luajtur këtë fundjavë, ndodhi një moment dramatik që mund të kishte pasur pasoja të rënda.

Në minutën e 69-të, sulmuesi i Bielefeldit, Joel Grodowski u rrëzua në tokë pas një përplasjeje të fortë me portierin Loris Karius dhe mbeti i palëvizshëm për disa çaste.


Portieri i Schalkes, teksa përpiqej të kapte topin, e goditi pa dashje Grodowskin në kokë me dorën e majtë.

Sulmuesi ra menjëherë në fushë, me krahët e shtrirë, dhe situata dukej shumë serioze.

Në atë moment, Nikola Katic, mbrojtësi boshnjak i Schalkes, reagoi menjëherë.

Ai vrapoi drejt vendit të ngjarjes dhe e vendosi Grodowskin në një pozicion anësor të sigurt, duke parandaluar kështu mundësinë e mbytjes apo pasojave të tjera të rënda deri në mbërritjen e stafit mjekësor.

Reagimi i tij i shpejtë u vlerësua gjerësisht nga bashkëlojtarët, tifozët dhe stafi teknik.

Trajneri i Schalkes, Miron Muslic, nuk i fshehu lëvdatat për mbrojtësin: “Situata dukej mjaft shqetësuese. Nikola reagoi në mënyrë të shkëlqyer në një moment shumë të tensionuar. Ne te Schalke shpresojmë që ai të jetë mirë”, tha Muslic pas ndeshjes, të cilën Schalke e fitoi me rezultatin 2:1.

Për fat të mirë, pas disa minutash trajtimi, Grodowski u ngrit, përqafoi portierin Karius dhe kërkoi të vazhdonte lojën, por u zëvendësua si masë paraprake.

Trajneri i Arminia Bielefeldit, Mitch Kniat, konfirmoi se mjekët vendosën menjëherë ta ndalonin lojtarin nga vazhdimi i ndeshjes.

“Është mirë. Nëse do ta pyesje, do të thoshte se mund të luajë, por të gjithë pamë se nuk ishte e sigurt. Nuk do të marrim asnjë rrezik”, deklaroi Kniat.

Interesant është fakti që edhe vetë Nikola Katic ka përjetuar një situatë të ngjashme pak muaj më parë.

Në debutimin e tij kundër Hertha BSC, në fillim të gushtit, ai u godit në kokë nga një bashkëlojtar dhe pësoi gjakderdhje në vesh.

Edhe pse u rikthye për pak minuta në fushë, më pas u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë dhe u konfirmua se kishte pësuar një tronditje të trurit. /Telegrafi/