Frika e humbjes së vendit të punës është shkaku kryesor i problemeve shëndetësore që edukatorja ka përjetuar gjatë viteve të fundit.
Kështu thotë avokati i saj, Prek Kola, duke shtuar se për këtë arsye ajo u desh të trajtohej te psikiatria, transmeton klankosova.tv.
Për shkak të këtyre problemeve, sipas tij, Drejtoria e Arsimit i kishte dhënë pushim mjekësor deri në përmirësimin e gjendjes së saj.
Megjithatë, as pushimi mjekësor, as trajtimi i vazhdueshëm psikiatrik nuk duket se kanë dhënë efekt të plotë.
Problemet, sipas tij, u shtuan pasi edukatorja u rikthye në punë.
Asaj iu kërkua që të mos kthehej për një kohë të caktuar, duke rritur tensionin dhe konfliktet verbale me drejtoreshën e Arsimit.
Si shkak i kërkesës për ta vazhduar pushimin mjekësor, avokati Kola thotë se nisën konfliktet verbale mes edukatores dhe drejtoreshës së Arsimit.
Kjo, sipas tij, çoi deri në padi për “ngacmim” nga drejtoresha, drejtuar edukatores.
Nga ana tjetër, psikiatri Zef Komani ka konfirmuar se edukatorja ka çrregullime serioze të shëndetit mendor.
Psikiatri ka dyshime se e njëjta ka psikozë.
Ai tha se e ka takuar për herë të parë në mbrëmjen e 17 gushtit dhe e kishte gjetur të qetë, duke e liruar për në shtëpi.
Por të nesërmen, zyrtarët policorë thotë se e sollën në spital në një gjendje të rënduar emocionale, gjë që pamundësoi edhe diagnostikimin e plotë të saj.
Psikiatri Komani ka bërë të ditur se Prokuroria i ka kërkuar të bëjë një raport për të vlerësuar nëse pacientja ishte e aftë të deklarohej në prokurori.
Megjithatë, thotë se kjo procedurë ende nuk është përfunduar.
Ai gjithashtu rekomandoi që edukatorja të vendoset me vendim gjyqësor në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të tipit të mbyllur dhe të trajtohet gjatë nga tre ekspertë të komisionit, për një periudhë të zgjatur.
The post “Frika nga humbja e vendit të punës e çoi te psikiatria”, historia e edukatores nga Kosova (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.