Fredi Bobic paditi ish klubin, fitoi miliona euro kompensim

Fredi Bobic paditi ish klubin, fitoi miliona euro kompensim

Pas gati dy vitesh e gjysmë beteje ligjore, futbollisti dhe ish-drejtori sportiv gjerman, Fredi Bobic, ka marrë një vendim në favor të tij nga Gjykata e Qarkut në Berlin.

Sipas vendimit, Hertha Berlin duhet t’i paguajë Bobicit më shumë se 4 milionë euro, duke i dhënë kështu një tjetër fitore në mosmarrëveshjen ligjore me klubin.


“Jam shumë i lumtur që është marrë një vendim i qartë dhe i drejtë. Shpresoj që ky të jetë fundi, por i takon Herthës të vendosë nëse do të jetë fundi. Kjo mund të ishte zgjidhur shumë më herët me të njëjtin rezultat”, deklaroi Bobic pas vendimit.

Fredi Bobic

Rasti ka nisur në vitin 2023, kur Bobic u shkarkua nga Hertha, ku mbante pozicionin e drejtorit sportiv. Ai kërkoi kompensim për ndërprerjen e kontratës, dhe kjo është fitorja e tij e dytë ligjore ndaj klubit.

Hertha ishte përpjekur të kundërshtonte shumën e kompensimit, duke argumentuar se pagat e Bobic duhet të uleshin për shkak të rënies së klubit në ligën e dytë, si dhe pretendoi se ai kishte shkelur konfidencialitetin dhe kishte kërcënuar një gazetar.

Gjykata hodhi poshtë këto pretendime dhe vendosi se klauzola e kontratës së Bobić nuk ishte e qartë, duke i dhënë atij të drejtën e plotë të kompensimit.Fredi Bobic si futbollist luajti për Stuttgarter Kickers, Stuttgart, Borussia Dortmund, Hannover, Hertha dhe Bolton Wanderers, përpara se ta mbyllte karrierën në Rijeka.

Në nivel kombëtar, ai luajti 37 ndeshje për Gjermaninë dhe shënoi 10 gola, duke qenë pjesë e ekipit kampion të Evropës në 1996.

Fredi Bobic, sa ishte te Hertha Berlin

Pas karrierës si lojtar, Bobic iu përkushtua menaxhimit në futboll, duke mbajtur poste si drejtor sportiv te Stuttgart, Cottbus dhe Eintracht Frankfurt, ku fitoi Kupën e Gjermanisë midis viteve 2016 dhe 2021. Në verën e vitit 2021 ai mori drejtimin e Herthës, por pas rezultateve të dobëta dhe rënies në ligën e dytë, u shkarkua në vitin 2023. Aktualisht, ai mban pozicionin e kreut të operacioneve të futbollit në Legia Varshavë. /Telegrafi/