Kombëtarja e Kosovës do të përballet nesër (e premte) me Slloveninë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Para këtij takimi në konferencë për media ka folur përzgjedhësi dardan Franco Foda, i cili konfirmoi një mungesë të madhe në fazën e mbrojtjes.
Lumbardh Dellova është i lënduar dhe ai nuk do të jetë në dispozicion të ‘Dardanëve’ për këtë ndeshje.
“Lumbardh Dellova fatkeqësisht është i lënduar dhe nuk do të jetë në dispozicion për lojën e Kosovës. Të gjithë lojtarët përpos Dellovës, janë të përgatitur dhe të gatshëm për ndeshjen ndaj Sllovenisë”.
“Do të fokusohemi në stërvitjen e fundit dhe shpresoj që të mos ketë lëndime të tjera”, ka thënë Foda.
Kjo është një goditje e madhe për Kosovën, duke marrë parasysh se tashmë ekipi kombëtar nuk do të jetë në gjendje të llogarisë as në shërbimet e kapitenit Amir Rrahmani, i cili po ashtu për shkak të lëndimit nuk arriti të bëhet pjesë e grumbullimit.
Kujtojmë se ndeshja mes Kosovës dhe Sllovenisë është paraparë të nis me fillim nga ora 20:45./Telegrafi/