Njohja e shtetit palestinez nga Britania, Kanadaja, Australia dhe Portugalia rriti presionin mbi Izraelin, ndërsa ky i fundit intensifikon luftën në Gaza, e cila ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, ka shkatërruar enklavën dhe ka shkaktuar kritika të ashpra nga aleatët e saj.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka lënë të kuptohet se Franca do të ndjekë shembullin të hënën, ndërsa ai përgatitet të presë një takim me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohamed Bin Salman, mbi zgjidhjen e vështirë të dy shteteve – bashkëjetesën palestineze dhe izraelite.
“Ata duan një komb, duan një shtet dhe ne nuk duhet t’i shtyjmë drejt Hamasit”, tha Macron të dielën në emisionin “Face the Nation” të CBS News, duke shtuar se ky veprim do të ndihmonte në izolimin e grupit të armatosur.
Ai tha gjithashtu se do ta bënte lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi më 7 tetor 2023, një parakusht për hapjen e një ambasade në shtetin palestinez, shkruajnë mediat e huaja.
Raportohet se më shumë se 140 udhëheqës botërorë do të zbresin në New York këtë javë për samitin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i cili do të dominohet nga çështja e së ardhmes së palestinezëve.
Një udhëheqës botëror që do të mungojë në takim është Mahmud Abbas, presidenti palestinez të cilit Uashingtoni i refuzoi vizën për të marrë pjesë, së bashku me zyrtarët e tij.
Kjo shkaktoi qortim nga Asambleja e Përgjithshme (AS), e cila do të jetë në qendër të fjalimeve të liderëve botërorë.
AS votoi 145 pro dhe pesë kundër për të lejuar në mënyrë të jashtëzakonshme Abbasin të flasë nëpërmjet lidhjes video.
Bëhet e ditur se katastrofa humanitare që po shkatërron territorin e vogël palestinez do të jetë në krye të axhendës, dy vjet pas fillimit të ofensivës izraelite në Rripin e Gazës, e cila u shkaktua nga sulmi i pashembullt i Hamasit më 7 tetor 2023. /Telegrafi/