Presidenti francez Emmanuel Macron, ka njoftuar se Franca dhe Britania po propozojnë një armëpushim të pjesshëm një-mujor midis Rusisë dhe Ukrainës, që do përfshinte vetëm ndalimin e sulmeve ajrore, detare dhe ndaj infrastrukturës energjetike.
Sidoqoftë, luftimet në tokë do të vazhdojnë, duke e bërë më të vështirë verifikimin e respektimit të armëpushimit përgjatë frontit, transmeton klankosova.tv.
Macron theksoi se “në rast të një armëpushimi, do të ishte shumë e vështirë të verifikohej se luftimet përgjatë frontit po respektoheshin”.
Ky propozim vjen ndërkohë që presidenti francez ishte duke fluturuar për në Londër, ku do të takohej me liderët evropianë për një samit të thirrur nga kryeministri britanik Keir Starmer, me qëllim avancimin e përpjekjeve për të hartuar një plan paqeje për Ukrainën.
Samiti në Londër u mbajt dy ditë pas takimit të tensionuar mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
Macron gjithashtu sqaroi se sipas propozimit franko-britanik, trupat tokësore evropiane do të dërgohen në Ukrainë vetëm në një fazë të dytë të planit paqeje.
“Nuk do të ketë trupa evropiane në tokën ukrainase në javët e ardhshme”, shtoi ai.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>