Antoni Lallican, një fotoreporter me përvojë nga Parisi, është vrarë nga një dron në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë, të premten në mëngjes, ndërsa ishte në detyrë. Lajmin e kanë konfirmuar Federatat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Gazetarëve, si dhe Unioni Kombëtar Francez i Gazetarëve.
Në të njëjtin sulm mbeti i plagosur gazetari ukrainas Heorgiy Ivanchenko. Raportohet se të dy gazetarët kishin veshur jelekë mbrojtës me mbishkrimin “Press”.
Federata Evropiane e Gazetarëve tha se kjo është hera e parë që një gazetar humb jetën nga një dron në Ukrainë.
“Sot, në Ukrainë, kërcënimi kryesor për gazetarët, si për të gjithë civilët, janë dronët rusë që gjuajnë njerëz,” u shpreh Sergiy Tomilenko, president i Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës (NUJU). “Këta nuk janë viktima anësore të luftës. Duke synuar gazetarët, ushtria ruse po gjuan qëllimisht ata që përpiqen të dokumentojnë krimet e luftës.”
Lallican, i cili kishte udhëtuar në Ukrainë në mars 2022, pak pas nisjes së pushtimit rus në shkallë të plotë, punoi gjerësisht duke dokumentuar pasojat e luftës, veçanërisht jetën e banorëve të pellgut minerar në Donbas.
Fotoreportazhet e tij janë publikuar në media të njohura ndërkombëtare, si Le Monde, Le Figaro, Libération, Der Spiegel, Zeit dhe Die Welt.
Në janar të këtij viti, ai u nderua me Çmimin Victor Hugo 2024 për Fotografi të Angazhuar për reportazhin e tij “Papritmas qielli u errësua”, që trajtonte luftën në Ukrainë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!