Nisma Socialdemokrate do t’i përgjigjet pozitivisht çfarëdo ftese të Lëvizjes Vetëvendosje për të diskutuar për formim të qeverisë së re.
Derisa kanë mbetur edhe dymbëdhjetë ditë kohë për formim të qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, deputetja e Nisma-s, Xhevahire Izmaku, thotë për KosovaPress se partia e saj “ka një përgjegjshmëri politike dhe s’ka asnjë arsye mos me qenë në tavolinë të diskutimit me LVV-në”.
Ajo thekson se nëse formimi i qeverisë së re varet vetëm nga tri votat e Nisma Socialdemokrate, “atëherë në raport me krijimin e institucioneve të reja nuk do të ketë kushte”.
Megjithatë, Izmaku nënvizon nevojën që të “sqarohet pozita e kryetarit të Kuvendit”, pasi sipas saj, legjislativi nuk duhet të funksionojë me një figurë e cila ka krijuar përçarje.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, është mandatuar për kryeministër nga presidentja, Vjosa Osmani më 11 tetor.
Kurti dje tha se gjatë kësaj fundjave dhe pas analizës për zgjedhjet lokale do të nis bisedimet për formimin e qeverisë së re.
“Ne po bëhemi gati të qeverisëm anë e mbanë komunat e Kosovës po bëhemi gati për qeverinë Kurti 3. Nëse nuk ka Kurti 3 padyshim jemi të gatshëm për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare… Gatishmëria jonë është e plotë dhe plani ynë është Qeveria Kurti 3”, ka thënë ai. /KP/