Formimi i Qeverisë së re, Koci thotë se Kurti synon zgjedhjet e reja për të fituar më shumë mandate

Formimi i Qeverisë së re, Koci thotë se Kurti synon zgjedhjet e reja për të fituar më shumë mandate

Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, ka deklaruar se nuk beson që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë.

Në një intervistë për Telegrafin, Koci shtoi se Kurti madje nuk po bën as përpjekje për të siguruar votat që do t’i mundësojnë krijimin e Qeverisë.


“Jo zotëri Kurti besoj nuk i ka numrat për Qeverinë dhe as që është duke bërë përpjekje për t’i siguruar. Nëse e keni hetuar, këto ditë nuk ka pasur asnjë përpjekje, as përpjekjen më të vogël për të siguruar shumicën dhe unë këtë e kuptoj, si interesim i zotit Kurti për të shkuar në zgjedhje tjera të jashtëzakonshme. Pra, do të thotë synon zgjedhjet me me bindjen që do të fitojë numër më të madh të mandateve në Parlament dhe se Qeverinë do ta bëjë më lehtë, por unë nuk besoj që kjo është llogari e qëlluar”, theksoi ai.

– YouTube www.youtube.com

Sipas Kocit, edhe rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme do të jenë pak a shumë të ngjashme me ato të shkurtit 2025.

“Rezultati i zgjedhjeve të ardhshme të jashtëzakonshme, kurdo që ato do të mbahen, në fund të këtij viti, ose në fillim i vitit të ardhshëm rezultati do të jetë pak a shumë aty ku ka qenë në shkurt të këtij viti. Dhe përpjekja e zotit Kurti ose të tjerëve, nëse u do t’ju jepet rasti opozitës, të bëjnë Qeverinë, për të blerë kohë, nuk mendoj që do t’i favorizojë”, theksoi ai.

Koci tha se beson që do të ketë rënie të daljes në zgjedhje të përgjithshme për shkak të për shkak të nervozës që është krijuar me zhagitjen e formimit të institucioneve.

Si përfundim, Koci u shpreh se përqindja e subjekteve politike do të mbetet e njëjtë sikurse në shkurt të këtij viti.

Ndryshe, Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare në shkurt të këtij viti, por ende nuk është formuar një qeveri e re si rezultat i këtyre zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.

Gjykata Kushtetuese, më 5 shtator, ka vendosur një masë të përkohshme që do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.

Me këtë vendim, deputetëve të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës u ndalohet të ndërmarrin veprime apo të procedojnë drejt formimit të qeverisë së re. Masa erdhi pas ankesës së Listës Serbe lidhur me votimin për nënkryetarin serb të Kuvendit. /Telegrafi/