Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur shpresën për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re, duke theksuar rëndësinë e saj për shtyrjen përpara të reformave dhe miratimin e një buxheti gjithëpërfshirës që vendos shëndetin e qytetarëve në qendër të prioriteteve.
Këto komente ajo i bëri gjatë një deklarate për media pas vizitës së saj në Klinikën e Onkologjisë.
“Përkundër angazhimit tim të vazhdueshëm që të kemi konstituim të kuvendit, ajo çështje është varur krye këputë nga vullneti i deputetëve dhe partive politike, por më në fund ai proces është përmbyllur. Kemi kuvend plotësisht të konstituuar dhe pas kësaj, të nesërmen kam mandatuar kryeministrin në detyrë i cili është nominuar nga partia e parë si kandidat për kryeministër”, deklaroi e para e shtetit.
Më tej, ajo tha se shpreson që partitë të gjejnë gjuhë të përbashkët, dhe Kosova ta ketë sa më parë një qeveri me mandat të plotë.
“Nga data që është nominuar janë 15 ditë, negociatat për koalicione bëhen vetëm ndërmjet partive, por janë diskutime në mes të partive politike dhe si presidente nuk do të duhej të ndërhyja. Shpresoj shumë që do të kemi sa më parë qeveri me mandat të plotë kushtetues, pasi qeveria në detyrë ka kompetencat e limituara sipas ligjit për qeverinë dhe kjo pastaj pengon jo vetëm punën e qeverisë por shtetin në tërësi. Sa më parë që kemi qeveri me mandat të plotë aq më parë mund të shtyhen para reformat, mund të kemi buxhet gjithëpërfshirës që vendos shëndetin e qytetarëve në radhë të parë, dhe vendime të tjera që shtyhen përpara nga qeveria. Shpresoj që partitë të gjejnë gjuhë të përbashkët”, tha presidentja, njofton Klankosova.tv.
The post Formimi i qeverisë, presidentja: Shpresoj ta kemi së shpejti appeared first on Klan Kosova.