Forma fantastike, shiriti i kapitenit dhe 6 gola – Florent Hasani flet për sezonin magjik me Bolusporin

Forma fantastike, shiriti i kapitenit dhe 6 gola – Florent Hasani flet për sezonin magjik me Bolusporin

Florent Hasani është njeriu i momentit në Ligën e Parë të Turqisë, pasi e ka marrë “mbi supe” në këtë fillim sezoni ekipin e Boluspor për t’u inkuadruar në Superligën e Turqisë. Në një intervistë për portalin Telegrafi, Hasani ka folur për nisjen e sezonit, formën e tij superiore, shiritin e kapitenit që i është besuar, si dhe objektivat personal dhe ekipor këtë edicion.

Boluspor e ka nisur në mënyrë të përkryer sezonin në Ligën e Parë të Turqisë, pasi në shtatë xhiro të zhvilluara ka marrë pesë fitore radhazi në pesë ndeshjet e para, por është ndalur me një barazim dhe një humbje në dy takimet e fundit.


Njëri nga më meritorët për këtë nisje të përkryer të sezonit të Boluspor, padyshim se është sulmuesi nga Kosova, Florent Hasani, i cili po luan sezonin e dytë te ky klub, pas transferimit në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar.

Bunjaku deri tani ka luajtur gjashtë ndeshje me Boluspor, duke shënuar gjashtë gola dhe dy asistime, ku spikat het-triku i shënuar në takimin ndaj Sakaryaspor.

Në një intervistë për portalin Telegrafi, Hasani ka folur për nisjen e sezonit, formën e tij superiore, shiritin e kapitenit që i është besuar, si dhe objektivat personal dhe ekipor këtë edicion.

“Sezoni ka nisur mjaft mirë, shpresojmë shumë që të vazhdojmë kështu. Besimin që më ka dhënë klubi që të jem kapiten i ekipit më ka motivuar edhe më shumë, dhe shpresoj që të vazhdoj në këtë mënyre”, ka thënë fillimisht Hasani për Telegrafin.

“Synimet individuale janë që të kem paraqitje të mira çdo ndeshje, t’i ndihmoj ekipit sa më shume kurse synimet e ekipit janë inkuadrimi në Superligën e Turqisë. Vitin e kaluar ishim shumë afër, këtë vit e kem filluar mirë dhe shpresojmë që deri në fund të vazhdojmë kështu”.

“Kampionati me të vërtet është i vështirë, agresiv dhe me intensitet. Deri në fund për inkuadrim në Superligë dhe play-off luftojnë deri në 10 ekipe. Deri në xhiron e fundit ndërrojnë pozicionet në tabelë. Po ashtu ka disa ekipe që buxheti i tyre është marramendës dhe marrin lojtar me emër edhe nga Superliga dhe kjo e bënë të jetë ligë e vështirë deri ne xhiron e fundit”, shtoi vushtrriasi.

“Kam luajtur në disa shtete, por nga dita e parë në Turqi jam ndier mjaft mirë. Për një kohë të shkurtër më është dhënë edhe shiriti i kapitenit. E ndjej dashurinë e respektin nga të gjithë në klub dhe të gjithë tifozët. Shpresoj që të vazhdoj me formë të mirë e t’i gëzojë çdo ndeshje”, përfundoi sulmuesi i Kosovës.

Ndryshe, Hasani në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar luajti gjithsej 18 ndeshje, ku shënoi 8 gola dhe dhuroi 2 asistime. /Telegrafi/