Kompania e dytë hungareze e Batalionit Rezervë Taktik Kinetik (KTRBN) ka përfunduar me sukses vendosjen në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it të udhëhequr nga NATO.
Lajmi është konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar të misionit të NATO-s në Kosovë, ku theksohet roli i rëndësishëm i këtij kontingjenti në ruajtjen e sigurisë dhe reagimin e shpejtë ndaj çdo zhvillimi potencial në terren.
“KTRBN ka aftësi të rëndësishme – duke përfshirë Kontrollin e Turmave dhe Trazirave (CRC), kolonat shoqëruese, mbikëqyrjen, zbulimin, ndihmën ndaj popullsisë dhe detyra të tjera të këmbësorisë – të cilat mbrojnë gatishmërinë dhe aftësinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur shpejt dhe në mënyrë efektive zhvillimeve përkatëse të sigurisë”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.
Në njoftim po ashtu theksohet se kontingjenti hungarez, që nga viti 1999, ka qenë një kontribues kyç në misionin e KFOR-it në Kosovë, dhe se kjo vendosje e fundit përfaqëson rotacionin e 33-të të ushtarëve nga Hungaria.
“Ky vendosje shënon rotacionin e 33-të të kontingjentit hungarez. Është një demonstrim i qartë i angazhimit të gjatë të Hungarisë në mbështetje të KFOR-it”, përfundon njoftimi.