Gazetarja e RTK-së, Blerta Foniqi Kabashi ka bërë një reagim publik rreth një njoftimi për të cilin, e njëjta thotë se ishte i paparalajmëruar dhe joligjor, me të cilin ajo dhe të tjerë, janë përjashtuar nga moderimi i emisioneve në transmetuesin publik, përkatësisht magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00.
Përmes reagimit të cilin Foniqi-Kabashi e ka bërë në llogarinë e saj në Facebook, ajo thotë se bashkë me kolegët e saj, kanë kërkuar takim me menaxhmentin për situatën e fundit, mirëpo sipas saj, nuk kanë marrë një përgjigje.
“Të premten, në fund të orarit të punës, ne të poshtëshënuarit morëm një njoftim të paparalajmëruar dhe joligjor, me të cilin përjashtohemi nga moderimi i emisioneve, përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00. Lidhur me këtë situatë, kemi kërkuar edhe takim me menaxhmentin e RTK-së, por nuk kemi marrë përgjigje”, ka shkruar gazetarja.
Sipas Foniqi-Kabashit, tendenca është e qartë, dhe siç shkruan ajo, këtë e ka vërtetuar edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional.
“Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën “Lajmet e fundit”, është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional. Ne, në vazhdimësi, jemi përballur me presion dhe akuza të pabaza nga eprorët, por asnjëherë ata nuk kanë pranuar t’i evidentojnë ato në mënyrë elektronike. Andaj, ushtrimi i detyrave tona të punës është bërë i vështirë, gati i pamundur. Nisur nga këto, vendimi i fundit arbitrar ka vetëm një qëllim: heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik. Ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend”, thuhet tutje në reagim.
Gazetarja ka bërë të ditur se ajo bashkë me kolegët e saj do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Andaj, ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona, ndërsa do të vazhdojmë të punojmë të panënshtruar, në mënyrë objektive dhe profesionale. Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi, Valon Bajrami”./Klankosova.tv
The post Foniqi-Kabashi dhe kolegët përjashtohen nga emisionet në RTK, paralajmërojnë veprime ligjore appeared first on Klan Kosova.