(Radio Evropa e Lirë) – Kur Qeveria e Kosovës premtoi, para më shumë se katër vjetësh, se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) do të mbyllej dhe se pronat e mbetura do të transferoheshin te Fondi Sovran, u krijua përshtypja se po i afrohej fundi një procesi të gjatë dhe të diskutueshëm.
Por sot, realiteti është krejt ndryshe: AKP-ja, jo vetëm që mbetet funksionale, por ka intensifikuar aktivitetin, duke shpallur valë të reja privatizimi, dhënie me qira të aseteve publike por edhe indentifikim të pronave te reja.
Me 13 gusht, AKP-ja ka njoftuar se në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ka identifikuar 461 prona të reja me sipërfaqe rreth 400 hektarë, të cilat më parë nuk figuronin në listat zyrtare dhe nuk administroheshin nga AKP-ja.
“Ky shënon një hap të madh në drejtim të rikthimit dhe menaxhimit të pronës shoqërore në përputhje me mandatin ligjor të Agjencisë”, thuhet në njoftim.
Kurse, në fund të muajit korrik, AKP-ja kishte në dispozicion për shitje 134 asete, por ofertë kanë pranuar vetëm për 63 asete.
Në fund të qershorit, ajo publikoi listën për dhënie me qira të 671 aseteve – tokë dhe objekte në disa komuna të vendit.
Këto kontrata qiraje parashihen për një vit, me mundësi vazhdimi, por gjithmonë me kushtin e ndërprerjes në rast se ndodh privatizimi.
Muajin e kaluar u shitën edhe 70 asete të tjera.
Ndërkohë, Fondi Sovran, që do të duhej ta zëvendësonte AKP-në, vazhdon të mbetet jofunksional.
Ligji për krijimin e tij u miratua në dhjetor të vitit 2023, por ai u dërgua menjëherë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se është në kundërshtim me parimet e ekonomisë së lirë të tregut.
Më shumë se një vit e gjysmë më vonë, Gjykata ende nuk ka dhënë vendim.
Nga Qeveria e Kosovës në detyrë thonë për Radion Evropa e Lirë se Ligji për Fondin Sovran do t’i hapte rrugë shuarjes së AKP-së dhe se vonesa e Kushtetueses është “përtej çdo afati ligjor”.
“Vendimi do të merret pasi që Gjykata t’i shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese. Të gjitha palët do të njoftohen me kohë”, thuhet në përgjigjën e Gjykatës për Radion Evropa e Lirë.
Çka është Fondi Sovran?
Fondi Sovran, i konceptuar si institucion investues dhe zhvillimor i Kosovës, synon të marrë në menaxhim ndërmarrjet publike me karakter komercial – përfshirë Trepçën, KEK-un, Postën, Telekomin, Infrakosin dhe Trainkosin – si dhe asetet me potencial zhvillimor që aktualisht administrohen nga AKP-ja.
Qeveria e Albin Kurtit – aktualisht në detyrë – e konsideron këtë fond si një nga reformat më të rëndësishme ekonomike, që synon përmirësimin e qeverisjes korporative, rritjen e efikasitetit, orientimin e investimeve dhe eliminimin e keqpërdorimeve.
Kapitali fillestar i tij është paraparë të jetë 20 milionë euro, i mbuluar nga buxheti i shtetit dhe i deponuar në Bankën Qendrore të Kosovës.
Në javën që ka marrë detyrën në mars të vitit 2021, Kurti ka kërkuar nga AKP-ja t’i pezullonte vendimet për privatizim, shitje dhe qiradhënie.
Privatizimi në shifra dhe sfidat e procesit
Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, ndërsa nga viti 2008 është vazhduar nga AKP-ja.
Deri më sot janë privatizuar 2.323 asete me një vlerë totale rreth 800 milionë euro.
Por, sipas raportit të AKP-së për vitin 2024, mbi 15 mijë prona të ndërmarrjeve shoqërore mbeten të pashitura: rreth 14 mijë parcela me objekte, mbi 340 objekte pa tokë dhe 191 asete që ndodhen jashtë territorit të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë kërkoi një prononcim nga AKP-ja lidhur me afatin e mbetur të funksionimit të saj, por nuk mori përgjigje.
Në deklarimet e mëhershme, agjencia ka theksuar se shumica e ndërmarrjeve shoqërore kanë qenë të braktisura dhe jo të mirëmbajtura pas luftës, por se me përpjekje janë përgatitur për tenderim dhe privatizim.
Privatizimi është kryer nëpërmjet dy metodave kryesore: “spin-off i rregullt”, që lejon ndërrimin e veprimtarisë së ndërmarrjes, dhe “spin-off special”, që ndalon këtë ndërrim, duke synuar ruajtjen e veprimtarive strategjike.
Sipas një hulumtimi të AKP-së në vitin 2021, nga 1.281 kontrata privatizimi kanë gjeneruar 32.403 vende pune.
Por, ka pasur edhe ndërmarrje që kanë dështuar pas privatizimit – në mesin e tyre: ajo e llamarinës Llamkos dhe Hoteli Grand.
Disa prona të ndërmarrjeve shoqërore janë privatizuar edhe nga përfaqësuesit politikë ose familjarët e tyre, e disa kanë përfunduar edhe si konteste gjyqësore.
Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se privatizimi nuk ka sjellë zhvillim të hovshëm ekonomik – rritja mesatare vjetore vazhdon të sillet në rreth 4%.
Të mbyllet apo jo AKP-ja?
Për Muhamet Mustafën nga Instituti Riinvest, vazhdimi i funksionimit të AKP-së është i paarsyeshëm.
Ai propozon që pronat e mbetura t’u kalojnë ministrive përkatëse për t’u shitur në një afat të shkurtër – për shembull, tokat Ministrisë së Bujqësisë dhe lokalet Ministrisë së Tregtisë.
Mustafa kujton se qysh në vitet 2016-2017, gjatë kohës kur drejtonte Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ishte propozuar një strategji për mbylljen e AKP-së brenda tre vjetësh, por se nisma nuk pati sukses.
Sipas tij, zvarritja e mbylljes së AKP-së vetëm se prodhon humbje të panevojshme për buxhetin e shtetit.
“Të llogariten vetëm shpenzimet për paga, mallra e shërbime për punonjësit e AKP-së dhe çdo diskutim tjetër është i tepërt”, thotë Mustafa, duke shtuar se punonjësit e AKP-së do të mund të transferoheshin në institucione tjera.
Në vitin 2024, AKP-ja shpenzoi mbi 4.55 milionë euro, nga të cilat mbi 3.4 milionë ishin për paga dhe mëditje, ndërsa 920 mijë për mallra dhe shërbime.
Profesori i Ekonomisë dhe Financave në Universitetin e Prishtinës, Ujkan Bajra, e konsideron gjithashtu të panevojshëm funksionimin e mëtejshëm të AKP-së.
Ai thotë se agjencia ka kohë që nuk e justifikon ekzistencën e saj.
“Të hyrat janë shumë më të vogla sesa shpenzimet operative, duke e kthyer kështu AKP-në në një institucion që u kushton më shumë qytetarëve e shtetit, sesa që u shërben”, thotë Bajra për Radion Evropa e Lirë.
Për të, problemi është te mungesa e vullnetit politik për ta mbyllur këtë kapitull.
Por, profesori tjetër i Ekonomisë, Berim Ramosaj, mban qëndrim më të rezervuar.
Sipas tij, AKP-ja nuk duhet të mbyllet përpara se të përmbushë plotësisht mandatin e saj: transformimin e ndërmarrjeve shoqërore dhe likuidimin e aseteve sipas parimeve të tregut.
“Futja e AKP-së nën ‘sqetullën’ e Qeverisë do të rrezikonte pavarësinë dhe efektivitetin në menaxhimin e aseteve publike”, thotë Ramosaj.
Sipas të dhënave të AKP-së, pas themelimit të Fondit Sovran, parashikohet që 6.907 asete t’i kalojnë këtij institucioni, ndërsa 3.121 toka pyjore do të transferohen tek Agjencia e Pyjeve. Po ashtu, 574 asete janë planifikuar për t’iu dhënë institucioneve publike, dhe për 574 tjera pritet të hiqet dorë në interes publik.
Por, deri në funksionalizimin e Fondit Sovran – pa një afat të qartë se kur – AKP-ja duket se do të vazhdojë aktivitetet e saj, duke zvarritur një premtim të dhënë vite më parë. /REL
The post Fondi Sovran ngec në Kushtetuese, AKP-ja s’i ndal privatizimet appeared first on Klan Kosova.