Kombëtarja e Kosovës do të përballet nesër (e premte) me Slloveninë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Para këtij takimi, Franco Foda gjatë konferencës për media ka analizuar Slloveninë, kundërshtar për të cilin tha se e njeh shumë mirë.
“Po, jam përballur dy herë me Slloveninë si trajner i Austrisë. Një herë edhe e fituam 0-1, ishte ndeshje e vështirë”.
“Sllovenia është një ekip me mbrojtje shumë të fortë, pranojnë pak gola. Është me rëndësi që ekipi të koncentrohet në mbrojtje dhe të krijojmë disa raste shënimi. Gjithashtu kemi tifozët Dardanët nga mbrapa, të cilët do të na ndihmojnë”.
“E kemi një grup mjaftë të balancuar dhe sipas mendimit tim, është ndër më të fortat. Jemi në shtëpi, skuadra ka vetëbesim pas ndeshjes me Suedinë dhe trajneri Kek ka pasur të drejtë, bota rrotullohet, jeta vazhdon dhe ne do të vazhdojmë.Të shohim se kush do ta zërë vendin e parë, kush të dytin e kush në fund”.
Amir Rrahmani do t’i mungojë Kosovës në këtë grumbullim për shkak të lëndimit. Foda tha se ai është i pazëvendësueshëm për ‘Dardanët’.
“Amir Rrahmani na mungon shumë, luan për Napolin dhe është i pazëvendësueshëm. E treguam ndaj Suedisë se me gjithë humbjet, i kemi zëvendësuar mungesat. Lojtarët që i kemi ftuar, do të luajmë më ta dhe kanë kualitetin për t’u përballur ndaj Suedisë”.
Franco Foda gjithashtu pati disa fjalë edhe për mungesat e Florian Haxhës dhe Lindon Emërllahut.
“Haxha fatkeqësisht është i sëmurë dhe nuk kemi nominuar dikë tjetër. Emërllahu është i bllokuar, por ekipi është gati. Me rëndësi që të luajmë nga minuta e parë me shumë pasion dhe intensitet që të fitojmë”, përfundoi tekniku gjerman./Telegrafi/