Sulmuesi Lamine Yamal mund të mos e fitojë këtë vit Topin e Artë, por trajneri i Barcelonës, Hansi Flick është i bindur se e ardhmja i takon talentit 18-vjeçar.
Yamal ka qenë një nga yjet më të ndritshëm të Barcelonës gjatë dy sezoneve të fundit. Ai ka shënuar 20 gola dhe ka dhuruar 23 asistime që nga fillimi i sezonit të kaluar, duke ndihmuar katalanasit të fitojnë tripletën spanjolle në 2024-25. Po ashtu, me 262 driblime të suksesshme, ai kryeson listën e lojtarëve në pesë ligat më të forta të Europës.
Edhe pse ka munguar në dy ndeshjet e fundit për shkak dëmtimi, Yamal ka arritur tashmë dy gola dhe tre asistime këtë sezon në La Liga, ndërsa Barça është vetëm dy pikë larg Real Madridit pas katër xhirove.
I nominuar për çmimin prestigjioz që do të ndahet të hënën, Yamal është mes favoritëve bashkë me shokun e skuadrës Raphinha dhe sulmuesin e PSG-së, Ousmane Dembele.
Flick është shumë i sigurt se Yamal do ta fitojë Topin e Artë edhe nëse jo këtë vit.
“Nuk e di nëse do ta fitojë këtë vit Topin e Artë. Një ditë, padyshim, Lamine do ta ngrejë këtë trofe. Kushdo që e fiton këtë vit, e meriton. Për mua, edhe vetë nominimi është çështje respekti”.
Barcelona ndërkohë nesër e pret sfida e vështirë ndaj Getafe, që këtë sezon renditet e pesta në kampionatin spanjoll pas një starti mahnitës./Telegrafi/