Monday, January 12, 2026
spot_img
HomeLajme“Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, nga sot online për përdoruesit

“Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, nga sot online për përdoruesit

Prej sot është hapur online, faqja “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, një nga tri projektet madhore në albanologji, bashkë me veprat “Historia e Shqiptarëve” dhe “Enciklopedia Shqiptare”, projekte të Akademia e Shkencave e Shqipërisë për promovimin e identitetit, historisë dhe trashëgimisë sonë kulturore mijëravjeçare.

Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike si dhe institute të tjera të Akademisë së Shkencave ndanë linkun për të gjithë përdoruesit, me domenin “fjalori.online”, duke ofruar qasje të lirë në të, transmeton Klankosova.tv.

Platforma online është konceptuar në mënyrë që lexuesit të ndërveprojnë me fjalorin në të gjitha pajisjet digjitale.

Për një periudhë nëntëmujore do të mblidhen mendime, sugjerime e plotësime për përmirësimin e këtij fjalori. Pas kësaj periudhe, Redaksia e Fjalorit dhe Koordinatori Teknik, brenda një afati tremujor, pasqyrojnë gjithë sugjerimet e mbledhura.

Për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” punoi një ekip i gjerë hartuesish, redaktorësh dhe korrektorësh, nën drejtimin e Akademik Jani Thomait si kryeredaktor dhe dy zëvendëskryeredaktorëve, Akademik Valter Memishaj dhe Shezai Rrokaj.

Vitin e ardhshëm, fjalori do të shtypet në dhjetë vëllime. Ky fjalor është domosdoshmëri për shkrimtarët e për publicistët, për shkollarët e për studentët, për mësuesit e për pedagogët, për studiuesit e për këdo që merret me përdorimin e kultivimin e gjuhës amtare.

Ai u vjen në ndihmë gjithë atyre që merren veçanërisht me gjuhën e shkruar, por edhe të folur, me krijime e me përkthime, me hartimin e fjalorëve të tipave të ndryshëm etj./Klankosova.tv

 

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT