Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, e cila u vlerësua me Çmimin Nobel për Paqen për luftën e saj për të rivendosur demokracinë në Venezuelë, është tani në qendër të polemikave mbi mbështetjen e saj të kaluar për Izraelin dhe thirrjet e saj për ndërhyrje të huaja në vendin e saj.
Komiteti i Nobelit e vlerësoi Machadon si një “kampion të paqes” dhe një “figurë kyçe dhe unifikuese në një opozitë politike dikur të përçarë”.
Kryetari i Komitetit, Jorgen Watne Frydnes, tha se guximi i Machado-s kishte “mbajtur ndezur flakën e demokracisë në Venezuelë mes errësirës në rritje”.
Ai e vlerësoi atë për “qëndrimin në vend pavarësisht kërcënimeve serioze kundër jetës së saj”, duke e quajtur atë një simbol të rezistencës ndaj autoritarizmit.
Megjithatë, kritikat pasuan shpejt.
Shumë veta vunë në dukje deklaratat e kaluara të Machados në mbështetje të Izraelit dhe partisë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke e akuzuar atë për mbështetjen e “gjenocidit” në Gaza.
Në një postim të rishfaqur, Machado shkruante “Lufta e Venezuelës është lufta e Izraelit”, duke e quajtur më vonë Izraelin një “aleat të vërtetë të lirisë”.
Bjornar Moxnes, një ligjvënës norvegjez, vuri në dukje se Machado kishte nënshkruar një dokument bashkëpunimi me partinë Likud të Netanyahut në vitin 2020, duke thënë se kjo “e bën çmimin të papajtueshëm me qëllimin e Nobelit”.
Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR) gjithashtu e dënoi përzgjedhjen, duke e quajtur atë një “vendim të paarsyeshëm” që “minon reputacionin e Komitetit të Nobelit”.
Machado është kritikuar gjithashtu për një letër të vitit 2018 drejtuar udhëheqësve izraelitë dhe argjentinas, ku kërkonte mbështetje për të “avancuar në çmontimin e regjimit kriminal të Venezuelës”. /Telegrafi/