Fitorja ndaj Sllovenisë, ‘çelës’ për ëndrrën e Kosovës drejt Kupës së Botës

Fitorja ndaj Sllovenisë, 'çelës' për ëndrrën e Kosovës drejt Kupës së Botës

Kosova është gati për një tjetër sfidë historike në rrugëtimin drejt Kupës së Botës 2026, teksa të premten në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” pret Slloveninë, në një ndeshje që mund të përcaktojë fatin e grupit kualifikues B.

Pas nëntë fitoreve në 11 ndeshjet e fundit, përfshirë gjashtë triumfe radhazi në shtëpi, “Dardanët” e drejtuar nga Franco Foda po tregojnë se ëndrra e Kampionatit Botëror nuk është më vetëm dëshirë.


Fitorja e fundit 2-0 ndaj Suedisë ka ringjallur besimin se Kosova mund të jetë ndër surprizat më të mëdha të këtyre kualifikueseve.

Sfida pa kapitenin Rrahmani, por me Muriqin në krye

Kapiteni dhe shtylla e mbrojtjes, Amir Rrahmani, do të mungojë për shkak lëndimi, por skuadra është e motivuar të vazhdojë me ritmin e lartë.

Në mungesë të tij, përgjegjësinë e udhëheqjes e merr Vedat Muriqi, golashënuesi më i mirë në historinë e Kosovës, me 32 gola në 62 paraqitje. Sulmuesi i Mallorcës mbetet simboli i sakrificës dhe forcës së skuadrës.

Aro Muric, nga kritikat në formë fantastike

Pas gabimeve të sezonit të kaluar në Ligën Premier me Ipswichin, Arijanet Muric është rikthyer fuqishëm. Me fanellën e Sassuolos në Serie A, ai po shfaq formën më të mirë të karrierës, duke qenë një nga portierët më të vlerësuar në Evropë.

Në fitoren ndaj Suedisë, ai ishte i pakalueshëm, ndërsa statistikat e “Sofascore” e rendisin aktualisht si lojtarin më të vlerësuar në Serie A për vitin 2025.

Brezi i ri: Hajdari, Avdullahu dhe Asllani

Në Kombëtaren e Kosovës po shkëlqen një brez i ri futbollistësh të formuar në Zvicër e Gjermani, që i kanë dhënë shpresë dhe kualitet vendit.

Albian Hajdari (22 vjeç), Leon Avdullahu (21) dhe Fisnik Asllani (23) – të gjithë pjesë e Hoffenheimit – janë shndërruar në elementë kyç të skuadrës së Fodës.

Sidomos Asllani, që këtë sezon ka katër gola në Bundesligë, po shihet si një nga yjet në ngritje të Kosovës.Mbrojtësi Hajdari pritet të debutojë, ndërsa Avdullahu ka gjetur pozitën e tij.

Një fortesë e quajtur “Fadil Vokrri”

Stadiumi legjendar në Prishtinë është shndërruar në një kështjellë të vërtetë. Kosova nuk njeh disfatë aty në më shumë se një vit, ndërsa atmosfera pritet të jetë elektrizuese edhe ndaj Sllovenisë.

Në gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi, Kosova ka shënuar plot 17 gola, duke dëshmuar forcën e saj në terren vendas.

fadil vokrri Stadiumi “Fadil Vokrri” telegrafi.com

Foda kërkon vazhdimësinë

Franco Foda prej marrjes së drejtimit të Kosovës në shkurt 2024 ka arritur 10 fitore dhe 5 humbje, pa asnjë barazim. Ai ka sjellë stabilitet, disiplinë dhe identitet të ri te “Dardanët”.

“E dimë se do të mungojë Amir Rrahmani, por kemi treguar se secili lojtar mund ta zëvendësojë tjetrin. Tani duhet të tregojmë karakter”, ka deklaruar Foda në prag të ndeshjes.

Foda kujton përballjet me Slloveninë: Një ekip me mbrojtje të fortë, por ne kemi përparësi telegrafi.com

Zhegrova, në pritje të shpërthimit te Juventusi

Lojtari më i vlefshëm i Kosovës, Edon Zhegrova, me vlerë tregu prej 25 milionë eurosh, pritet të jetë arma kryesore në krah.

Pas transferimit te Juventusi, ai ende nuk ka fituar minutat e dëshiruara nën drejtimin e Igor Tudor, por Foda shpreson se: “Zhegrova së shpejti do të tregojë vlerat e tij edhe në Serie A”.

Kujdes nga historia

Sllovenia ka fituar të dyja ndeshjet ndaj Kosovës në vitin 2020 (1-0 në Prishtinë dhe 2-1 në Lubjanë), por këtë herë përballë do të ketë një skuadër shumë më të pjekur dhe të motivuar.

Një fitore e “Dardanëve” të premten do ta mbante Kosovën fuqishëm në garë për një vend në Kupën e Botës 2026, ndërsa për Slloveninë, një humbje do të ishte pothuajse fatale për ëndrrën amerikane. /Telegrafi/