Kryeredaktorja e “Nacionales”, Dafina Demaku, ka folur në Rubikon të Klan Kosovës për artikullin të cilin e kanë publikuar dje ku shihet deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje duke komunikuar me dikë në një grup për një aplikacion që quhet “Zeoob: Gjenerues i Postimeve të Rreme në Facebook me Komente”.
Demaku pohoi se Pacolli komunikoi me një zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, se si të bëhen publikime të rrejshme në rrjete sociale.
“Ishte një fotografi, një moment komunikimi i kapur nga fotografi i Nacionales dhe komunikimi e shpërfaqte një bisedë të deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, me një zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës që quhet Albion Rexhepi”, deklaroi Demaku.
“Ky Z. Rexhpi, sipas komunikimit që shihet në fotografi, i tregon Z.Pacolli një platformë që quhet ‘Zeoob’ dhe nëse kërkojmë pak më tepër se çka mund të prodhojë kjo platormë, është një platformë që prodhon çka të duash sa i përket produkteve të rreme, që mund të duken në sy të tonë autentike, edhe ato produkte përfshijnë pothuajse të gjitha rrjetet sociale, mund të gjenerojë edhe komente. Pra mund t’i përshtaten atij produkti që është krijuar”, u shpreh Demkau.
E njëjta shtoi se është shqetësuese se pse Pacolli flet me lehtësi, sipas Demakut, për publikim të gjërave që nuk janë të vërteta.
“Pra, po flasim për një deputete që flet me një zyrtar shtetëror të një institucioni që është raportuar në vazhdimësi se besa ka shumë njerëz aty, një institucion që është i kapur nga partia në pushtet. Në atë institucion është raportuar se ka pasë rrahje mes zyrtarëve. Situata po bëhet shqetësuese kur në jemi duke folur për një deputete që komunikon në formë relaksuese se si gjenerohen postimet krejtësisht të rreme. Kjo për mua është shqetësuese”, tha Demaku. /Klankosova.tv
The post “Fitore Pacolli postime të rreme”, Demaku: Shqetësuese se si një deputete me lehtësi flet për mashtrim (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.