Në episodin e radhës të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të mbështetur nga United Hospital, i ftuar ishte trajneri i fitnesit, Arbër Peci, i cili ndau me publikun një perspektivë mbi rolin që luan aktiviteti fizik në përballjen me ankthin dhe depresionin.
Sipas Pecit, fitnesi nuk është vetëm për të formësuar trupin, por ka ndikim të thellë në mirëqenien mendore dhe emocionale të individit.
Ai shpjegoi se gjatë ushtrimeve fizike, trupi prodhon hormone të lumturisë, si endorfina dhe serotonina që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes shpirtërore.
– YouTube www.youtube.com
“Aktiviteti fizik nuk është si e shohin shumica, vetëm për me formëzu trupin. Ai ka ndikime të mëdha në shpirt, sepse gjatë ushtrimeve trupi prodhon hormone që krijojnë ndjenjë kënaqësie dhe lumturie. Kjo ndjenjë është natyrale dhe shumë më e fuqishme sesa ajo që vjen nga substancat e dëmshme si droga”, tha Peci.
Ai e krahasoi ndjesinë pozitive që përjeton trupi gjatë dhe pas aktivitetit fizik me efektet afatshkurtra që japin drogat, duke theksuar se kënaqësia që vjen nga fitnesi është më e pastër, më e qëndrueshme dhe pa pasoja negative.
Peci u shpreh se ndjenja e përkatësisë dhe inkurajimi nga të tjerët është një faktor kyç në ruajtjen e motivimit dhe vetëbesimit.
Gjatë podcastit, trajneri dha edhe këshilla praktike për ushqyerjen e shëndetshme, rëndësinë e gjumit të rregullt dhe lidhjen e tyre të ngushtë me shëndetin mendor.
Ai ndau edhe histori të vërteta të personave që kanë përmirësuar gjendjen e tyre psikologjike përmes një jete aktive dhe të disiplinuar. /Telegrafi/