Komuna e Prishtinës, ka njoftuar të gjithë shitësit e shpezëve dhe kafshëve të tjera lidhur me organizimin e shitjes gjatë Festës së Bajramit.
Sipas njoftimit zyrtar, më 18 dhe 19 mars 2026, shitja e kafshëve do të lejohet vetëm në një lokacion të përcaktuar, në fshatin Bernicë e Poshtme, konkretisht në parkingun përgjatë rrugës “Vëllezërit Fazliu”, i njohur si ish tregu i automjeteve.
Autoritetet komunale kanë theksuar se në këtë hapësirë do të lejohet vetëm shitja e kafshëve, ndërsa therja apo prerja e tyre është rreptësisht e ndaluar në çdo rrethanë.
“Po ashtu, Komuna u ka bërë thirrje të gjithë shitësve që të tregojnë kujdes maksimal për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e ambientit, duke shmangur hedhjen e mbeturinave apo mbetjeve të tjera në hapësirat përreth”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
“Për mbarëvajtjen e aktivitetit do të angazhohet Inspektorati i Kryeqytetit, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e rregullave. Ndërkohë, është paralajmëruar se ndaj të gjithë atyre që zhvillojnë aktivitet jashtë lokacionit të lejuar do të ndërmerren masa ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi”.


