Edicioni i 42-të i EuroBasket ka mbyllur kapitullin e vet dhe sot në mbrëmje, në Riga, do të zhvillohet finalja e madhe mes Turqisë dhe Gjermanisë. Dy kombëtaret kanë bindur gjatë gjithë turneut dhe me plot të drejtë do të përballen për trofeun.
Të dyja skuadrat kanë regjistruar tetë fitore në tetë ndeshje dhe kanë sjellë basketboll emocionues, me një ekuilibër mes mbrojtjes së fortë dhe një sulmi të jashtëzakonshëm. Gjermania është skuadra më produktive e turneut me mesatarisht 101.4 pikë për ndeshje, ndërsa Turqia mban vendin e tretë me 91.1 pikë. Nga ana tjetër, turqit kryesojnë për gjuajtjet nga distanca, me një saktësi prej 44.7%, ndërsa gjermanët renditen menjëherë pas tyre me 39%.
Dueli i finaleve pritet të vendoset nga lojtarët kryesorë. Turqia mbështetet te Alperen Sengun (20.8 pikë, 11 kërcime, 7 asistime) dhe Cedi Osman (15.1 pikë), ndërsa Gjermania te Dennis Schröder (20.9 pikë, 6.6 asistime) dhe Franz Wagner (21.1 pikë, 5.6 kërcime). Përplasja mes këtyre dysheve pritet të jetë vendimtare.
Përveç tyre, “faktori X” mund të vijë nga emra si Erxhan Osmani apo Shane Larkin për Turqinë, ose Andreas Obst dhe Isaac Bonga për Gjermaninë. Megjithatë, një surprizë nga stoli nuk përjashtohet – finalet shpeshherë nxjerrin heronj të papritur.
Turqit kanë një avantazh të madh te pankina, pasi drejtohen nga strategu i madh Ergin Ataman, ndërkohë që Gjermania ka kaluar një sfidë të vështirë: mungesën e trajnerit Alex Mumbra për shkak të sëmundjes. Megjithatë, ekipi është udhëhequr me sukses nga asistenti Alan Ibrahimagic, i cili i ka çuar drejt një medaljeje të sigurt.
Finalja do të zhvillohet sonte në Xiaomi Arena, Riga, me fillim nga ora 20:00. Turqia synon titullin e saj të parë në histori, ndërsa Gjermania kërkon të rikthehet në fron për herë të dytë, pas suksesit të vitit 1993. Gjermanët kanë qenë edhe finalistë në vitin 2005, ndërsa Turqia kishte luajtur një finale të vetme më parë, në vitin 2001, ku u mposht nga Ish-Jugosllavia.
Përpara finales, në orën 16:00, do të zhvillohet edhe ndeshja për vendin e tretë, mes Greqisë dhe Finlandës. /Telegrafi/