Filmi i ri i Leonardo DiCaprios, “One Battle After Another” thyen rekordin 23-vjeçar në ‘Rotten Tomatoes’

Filmi i ri i Leonardo DiCaprios, "One Battle After Another" thyen rekordin 23-vjeçar në 'Rotten Tomatoes'

Kur më herët këtë vit u publikua traileri i parë i trilerit One Battle After Another, publiku nuk dinte çfarë të priste. Bëhet fjalë për bashkëpunimin e parë mes regjisorit të njohur Paul Thomas Anderson dhe yllit të Hollywood-it Leonardo DiCaprio, ndërsa studioja Warner Bros. mbajti të fshehta detajet e ngjarjes. Projekti i fundit i DiCaprios ishte filmi i lavdëruar Killers of the Flower Moon nën regjinë e Martin Scorsese, ndërsa Anderson u duartrokit për suksesin e filmit Licorice Pizza, shkruan SlashFilm.

Edhe pse filmi One Battle After Another sapo ka mbërritur në kinema, kritikat e para kanë qenë njëzëri pozitive, duke e cilësuar si një arritje të jashtëzakonshme. “Politikisht i fortë, plot humor të zi, ndjekje rrugore marramendëse dhe të shtëna që të shurdhojnë, ky film nuk i ngjan asgjëje që Paul Thomas Anderson ka realizuar më parë,” shkruan Chris Evangelista nga SlashFilm, duke e shpallur atë filmin më të mirë të vitit.


Edhe kritikët e tjerë ndajnë të njëjtin mendim, duke bërë që filmi në këtë moment të mbajë një vlerësim prej 98% në Rotten Tomatoes, të bazuar në 161 recensione.

– YouTube youtu.be

Ky rezultat e kthen One Battle After Another në filmin më të vlerësuar të karrierës së gjatë dhe të lavdishme të DiCaprios, raporton SlashFilm. Me këtë arritje, ai thyen rekordin që për 23 vjet mbahej nga filmi i vitit 2002 me Steven Spielberg, Catch Me If You Can, i cili kishte 96%. Megjithëse vlerësimi përfundimtar mund të ndryshojë, ky rekord pritet të mbetet për një kohë të gjatë.

Vlen të përmendet se dokumentari We Are Guardians, ku DiCaprio ishte producent ekzekutiv, ka 100% në Rotten Tomatoes, por pasi ai nuk ka aktruar aty, nuk llogaritet në këtë kategori. Ndër filmat e tjerë të vlerësuar lart të tij janë Killers of the Flower Moon (93%) dhe fituesi i Oscarit The Departed (91%).

Historia e filmit One Battle After Another është e bazuar në romanin Vineland të shkrimtarit Thomas Pynchon, i cili ndjek revolucionarë të zhgënjyer që kanë humbur shpirtin luftarak. “Kur armiku rikthehet pas 16 vitesh mungesë, një grup ish-revolucionarësh ribashkohen për të shpëtuar vajzën e njërit prej tyre,” thuhet në përmbledhjen zyrtare. Edhe pse kjo nuk zbulon shumë, kritikat sugjerojnë se bëhet fjalë për një aventurë madhështore.

Përveç DiCaprios, në film marrin pjesë edhe Sean Penn, Benicio del Toro, Regina Hall, Teyana Taylor dhe debutuesja Chase Infiniti. Sipas pamjeve nga trailerët, personazhi i DiCaprios – aktivisti i moshuar Ben Ferguson – përfundon vazhdimisht në situata absurde dhe komike.

Filmi One Battle After Another është duke u shfaqur aktualisht në kinema. /Telegrafi/