Filmi australian “Together” është modifikuar në mënyrë digjitale në Kinë për të portretizuar çiftin e të njëjtës gjini si heteroseksualë

Filmi australian "Together" është modifikuar në mënyrë digjitale në Kinë për të portretizuar çiftin e të njëjtës gjini si heteroseksualë

Filmi australian “Together”, i cili u modifikua në mënyrë digjitale në Kinë për të portretizuar një çift të të njëjtit seks si heteroseksual, ka tërhequr reagime negative nga publiku në Kinë.

Konkretisht, filmi horror “Together”, me protagonistë Dave Franco dhe Alison Brie, u shfaq në kinema të zgjedhura në Kinë në premiera më 12 shtator. Shikuesit më vonë vunë re se disa skena ishin ndryshuar pasi pamjet e skenave origjinale u bënë virale në internet.


Filmi duhej të publikohej zyrtarisht më 19 shtator, por deri më sot nuk ka filluar të shfaqet në kinema.

Shpërndarësi global i filmit, Neon, e dënoi ndryshimin, duke deklaruar se nuk e tolerojnë “montazhin e paautorizuar” dhe po kërkojnë që shpërndarja e një versioni të tillë të filmit të ndalet.

– YouTube youtu.be

Filmi horror, i shkruar dhe i drejtuar nga australiani Michael Shanks, ndjek një çift që shpërngulet në fshat, ku përballen me një forcë misterioze që ndikon në trupat, jetën dhe marrëdhënien e tyre.

Filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit Sundance në janar dhe u publikua në SHBA dhe Australi në korrik. Kritikët e kanë vlerësuar kryesisht pozitivisht filmin, i cili ka një rezultat prej 90% në Rotten Tomatoes.

Megjithatë, sapo filluan premierat në Kinë, publiku vuri re ndryshime në skenat e seksit pasi pamjet origjinale filluan të përhapeshin në internet.

Në një skenë ku personazhi kryesor mashkull po bën dush, në versionin kinez u shtua avull për të fshehur trupin e tij.

Shumica e ankesave kishin të bënin me skenën e ndryshuar dixhitalisht në të cilën shfaqet një çift i të njëjtit seks – fytyra e burrit u zëvendësua nga ajo e një gruaje, dhe referenca të shumta për marrëdhëniet e të njëjtit seks u hoqën nga filmi.

Në Kinë, ku martesa e personave të të njëjtit seks nuk njihet dhe temat LGBT janë kryesisht tabu, censura e përmbajtjes LGBT nuk është e pazakontë. Megjithatë, përdorimi i teknologjisë së inteligjencës artificiale për të bërë këto redaktime ka shkaktuar pakënaqësi të veçantë.

“Kjo nuk është më vetëm çështje prerjesh të thjeshta – ky është shtrembërim dhe keqinterpretim”, shkroi një përdorues në platformën e njohur kineze të rishikimit të filmave Douban, ku filmi ka një vlerësim prej 6.9 nga 10.

“Jo vetëm që ndryshuan komplotin, por treguan edhe mungesë respekti për orientimin seksual të aktorit. Është e neveritshme”, thuhej në një koment tjetër.

Distributori Neon shprehu pakënaqësi me ndryshimet, duke kritikuar distributorin kinez Hishow, i cili ende nuk ka folur për këtë situatë.

“Neon nuk e miraton redaktimin e paautorizuar të filmit nga Hishow dhe kërkon që ata të ndalojnë shpërndarjen e këtij versioni të redaktuar”, thanë ata në një deklaratë për BBC-në.

Kjo nuk është hera e parë që Kina ka përdorur teknologjinë e inteligjencës artificiale për të ndryshuar përmbajtjen seksuale. Në filmin fitues të çmimit Oscar, “Oppenheimer”, një skenë me Florence Pugh lakuriq në kinematë kineze u ndryshua duke shtuar një fustan të zi të gjeneruar nga inteligjenca artificiale. /Telegrafi/