Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për t’ia caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji Top Kolshit, si i dyshuari kryesor për vrasjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit në fillim të gushtit.
Në njoftimin e Gjykatës janë dhënë detaje se si ka ndodhur rasti.
Thuhet se viktima, në ditën kritike, ka dalë për të dërguar gjedhët për kullosë, ku fillimisht është goditur me mjete të forta në kokë dhe trup, e më pas është ngufatur.
Gjykata thotë se më pas, trupi i pa jetë i viktimës është tërhequr zvarrë disa metra për t’u futur në një gropë në një arë të mbjellë me misër, gropë e cila më pas është mbuluar.
Sipas njoftimit, thuhet se krimi është kryer nga disa persona.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.K. mes datës 03.08.2025 ora 16:00 dhe datës 04.08.2025 rreth orës 12:10, në fshatin Baicë, Komuna e Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake mes vete, me dashje e në bashkëkryerje edhe me persona ende të paidentifikuar deri më tani, në mënyrë dinake dhe mizore privojnë nga jeta tani të ndjerin E.B., në atë mënyrë që i ndjeri E. me datën 03.8.2025 rreth orës 16:00 kishte dalë nga shtëpia duke e dërguar gjedhen e tij për kullos në livadhet e fshatit dhe aty i njëjti fillimisht goditet me mjete të forta në kokë dhe trup, më pas ngulfatet dhe trupi i tij tërhiqet zvarrë për disa metra duke kaluar përmes një arre të mbjellë me misër dhe aty fillimisht hiqen disa rrënje misri, gërmohet një gropë me thellësi mbi 1m, më pas brenda saj vendoset trupi i pajetë i të ndjerit, e sipër të cilit vendosen dërrasa dhe më pas gropa mbulohet me dhe, kurse aty rivendosen rrënjët e misrit”.
“Më pas me datën 04.8.2025 rreth orës 12:10 familjarët e viktimës duke bërë kërkime nëpër zona të fshatit arrijnë ta gjejnë viktimën e varrosur pa shenja jete, me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Vrasje e Rëndë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Kështu, Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethana që tregojnë se nëse i pandehuri ndodhet në liri, ka rrezik që të arratiset apo t’i shmanget thirrjeve nga Gjykata dhe Prokuroria, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.
Gjykata ka vlerësuar po ashtu se ekziston rreziku se i pandehuri mund të fshehë, ndryshojë apo t’i falsifikojë provat duke ndikuar në bashkë të dyshuarit e mundshëm, “meqenëse deri më tani dyshohet se vepra penale është kryer në bashkëkryerje dhe ende nuk janë siguruara informata të mjaftueshme për bashkëkryesit potencialë, ashtu që mund të ndikojë edhe tek dëshmitarët e rastit”.
“Gjykata gjithashtu konstatoi se duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, e po ashtu faktin se pas kryerjes së veprës penale i pandehuri ka fshehur trupin e pajetë, i cili më pas është gjetur i groposur, pa përjashtuar edhe të kaluarën e tij kriminale, pasi pandehuri ka edhe 2 Aktgjykime të plotfuqishme njëri prej të cilëve ka të bëjë me një rast që besohet se viktimë ka qenë tani i ndjeri, për çka me lënien e tij në liri, ekziston mundësia e kryerjes së ndonjë vepre tjetër të natyrës së njëjtë apo të ngjashme”, ka thënë Gjykata Themelore në Prishtinë.
Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Themelore njoftoi se i dyshuari Top Kolshi e kishte pranuar fajësinë. /Klankosova.tv
Një muaj paraburgim për Kolshin që pranoi se vrau Bajraktarin
The post “Fillimisht u godit në kokë e trup, më pas u ngufat”: Detaje nga vrasja e Enver Bajraktarit appeared first on Klan Kosova.