Prokuroria Themelore në Prizren i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh për të pandehurin E.B., i dyshuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Rasti ka të bëjë me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës në lagjen “Tusuz” në Prizren, teksa Prokuroria ka dhënë detaje mbi rastin.
Thuhet se deri te vrasja e viktimës H.Sh. erdhi pasi i dyshuari E.B. dhe tashmë viktima, duke pasur një mosmarrëveshje paraprake, ata fillimisht i kanë nxitur qentë e tyre në përleshje teksa pas një fjalosjeje të shkurtër, E.B. nxjerr thikën dhe e godet viktimën H.Sh., i cili vdes në QKUK si pasojë e plagëve.
“Me datë 10.08.2025 rreth orës 20:30min në lagjen “Tusuz” në rrugën “Lapidari” në Prizren, i pandehuri E.B., pas një mosmarrëveshjeje paraprake, në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje e privon nga jeta tani më të ndjerin H.Sh., në atë mënyrë që fillimisht i nxisin qentë e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosjeje të shkurtër, i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën-patente dhe e godet H.Sh., me ç’rast i njëjti dërgohet në QKUK në Prishtinë, ku ndërron jetë nga plagët e marra. Me këto veprime E.B., ka kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ sipas KPRK-së”, tha Prokuroria.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
The post “Fillimisht i nxitën qentë në përleshje”… Prokuroria jep detaje për vrasjen në Prizren appeared first on Klan Kosova.