Në Pikëkalimin Kufitar në Vermicë, oficerët doganorë kanë ndaluar për kontroll të detajuar një automjet në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, pas tentativës për shmangie të pikës së kontrollit, ku janë zbuluar produkte kozmetike dhe estetike, të padeklaruara.
Në njoftimin e Doganës thuhet se në momentin e ndalimit, personi kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim.
“Megjithatë, gjatë kontrollit në bagazhin e mjetit janë zbuluar mallra të padeklaruara, të ndara në disa pako pa fatura dhe dokumentacion përkatës”, thuhet tutje.
Mallrat e padeklaruara përfshijnë produkte kozmetike dhe estetike, si dhe produkte farmaceutike si:
- Kremra për kujdes të lëkurës, serume, peeling dhe tonera
- Solucione për trajtime dermo-estetike
- Filler për buzë dhe fytyrë
- Pajisje për microneedling dhe derma roller
- Vitamina dhe suplemente (Vitamin D3, Devit, Feroven)
- Solucione injektuese të ndryshme
- Produkte për trajtim të flokëve
Shuma totale e mallrave arrin vlerën prej rreth 3,300 euro.
Ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas nenit 244 të Kodit doganor dhe të Akcizës së Kosovës, ndërsa mallrat janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave të mëtejme. /Telegrafi/




