Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot deklaroi se me politikat e qeverisë aktuale vendi do të mbetet një pjesë periferike e Evropës dhe do të zhytemi në varfëri, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Çfarë po dëshmojmë? Jemi dëshmitarë çdo ditë të kaosit në institucione, të partizimit total, të drejtësisë selektive, të mungesës së çdo reforme në gjyqësor, të pagave të paqëndrueshme, të rritjes së pakontrolluar të çmimeve, të një rruge integrimi evropian të vendit plotësisht të ndaluar. Diçka që ka qenë një drejtim strategjik që nga viti 1991. Çfarë do të jemi nëse OBRM-PDUKM, ZNAM dhe VLEN vazhdojnë të sundojnë pa kontroll? Do të jemi një periferi e vështirë e Evropës, Shqipëria do të jetë Evropë për ne, do të zhytemi në varfëri dhe do të kemi 7 miliardë euro kredi për të shlyer. Dhe asgjë tjetër”, tha Filipçe nga Sveti Nikolla.
Ai kujtoi statistikat alarmante nga Dellçeva që nuk japin shpresë apo asnjë perspektivë në vend.
“Në Dellçevë, 90 nga 100 maturantë janë regjistruar në një universitet në Bullgari. Nuk ka perspektivë për të rinjtë, të rinjtë nuk do t’i shlyejnë kreditë ndaj OBRM-PDUKM-së, do të largohen nga vendi. Kjo është e ardhmja jonë nëse nuk e ndryshojmë këtë situatë”, tha Filipçe.
Ai theksoi gjithashtu se LSDM ka një detyrim serioz për të rikthyer shpresën tek qytetarët./Telegrafi/